E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria feston Fitër Bajramin

 Ceremonia e faljes së Bajramit u bë si çdo vit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23. Gjithë sipërfaqja e faljes ishte e shtruar me material të përshtatshëm duke shmangur kështu sendet e panevojshme që marrin besimtarët, të cilat shkaktojnë ndotje të ambinetit.

Kreu i Komuniteit Mysliman, Haxhi Selim Muça ka uruar gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për sa më shumë paqe dhe harmoni mes njeri-tjetrit. Ai e cilësoi këtë muaj të shenjtë si “muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore”.

Një urim tjetër drejtuar besimtarëve myslimanë ka ardhur nga kreu i shtetit, Bujar Nishani i cili i ka ftuar të përqafojnë të mirën, paqen e t’i shmangen konflikteve e sherrit.

Presidenti Nishani uron shqiptarët: Të mposhtim kulturën e urrejtshme të sherrit!

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për Festën e Bajramit.

Ndërsa e quan Bajramin një festë të shenjtë, Nishani shton se ajo shërben për të na bërë më të mirë për veten, për tjetrin dhe për shoqërinë.

“Të dashur myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin. Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga.

Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Nishani apeloi më tej se festa të tilla duhet të na shërbejnë për ta parë botën me sy të tjerë, duke mposhtur kulturën e urrejtjes.

“Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.

Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur. Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”, përfundon mesazhi i tij. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›