E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina përmes telefonisë synon promovimin e pavarësisë

 Sekretari i përgjithshëm i Qeverisës së Serbisë, Velko Odalovic, deklaroi se në bisedimet e Brukselit rreth çështjes së telekomunikacionit është e nevojshme të gjendet zgjidhja.

Sipas tij Prishtina po përpiqet që në këto bisedime të imponojë shtetësinë e Kosovës. Ai citohet nga RTS të ketë thënë se në këtë mënyrë “ajo po vështirëson funksionimin e sistemit telekomunikativ në gjithë territorin dhe rrezikon edhe shqiptarët e Kosovës të cilët në këtë moment paguajnë impulset telefonike më të shtrenjta”.

“Prishtina synon që edhe në fushën e telekomunikacionit, sikundër edhe në të tjerat – judikaturë, integrimin e strukturave të sigurisë në Policinë e Kosovës të imponojë Republikën e Kosovës”, është shprehur Odalovic, transmeton “Koha”.

Ai ka shtuar se operatori serb ka ndërtuar një infrastrukturë konkurrente në hapësirën e Kosovës, që është pronë e qytetarëve dhe nuk guxon që në këtë mënyrë të rrëmbehet brutalisht numri thirrës (prefiksi) teknik, që do të ishte vetëm në funksion të promovimit të pavarësisë së Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›