E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i Grave Deputete dënon kërcënimin ndaj veprimtares Bala

Grupi i Grave Deputete është indinjuar nga kërcënimi ndaj aktivistes për të drejtat e gruas dhe promovimin e barazisë gjinore, znj. Nazlije Balaj (zyrtare në Vetëvendosje), e cila është kërcënuar ”me plumb në ballë”, nëse nuk do të heq dorë nga mbrojtja me ligj e viktimave të luftës, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se Grupi i Grave Deputete konsideron se kërcënimi qyqar, si ky, është tentim që t’i stigmatizojë dhe anatemojë edhe më tutje gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës. Sipas këtij grupi, sjelljet e tilla, nga kushdo qoftë, janë tentim për ta mbyllur gojën për kërkim të drejtësisë dhe janë të dëmshme për demokracinë dhe imazhin e Kosovës.

Grupi i Grave Deputete poashtu kërkon nga organet e rendit ta sjellin para drejtësisë personin që ka kërcënuar znj. Bala, por edhe të gjithë personat që ushtrojnë dhe nxisin akte dhune.

GGD inkurajon znj Bala, veprimtarët për të drejta të njeriu, gratë dhe burrat që të kenë kurajo dhe guxim qytetar për ta denoncuar dhe luftuar çdo formë të dhunës, duke i siguruar se Gratë Deputete të Kuvendit të Kosovës janë të përkushtuara për Kosovën ku sundon ligji dhe drejtësia, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Teuta Sahatqia, kryetare e Grupit të Grave Deputete./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›