Fadili po pret për MZHE-në

Drejtori aktual i KOSTT’it, Fadil Ismaili ka deklaruar të martën për Express se ka ofertë për të udhëhequr Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nga Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli.
“Po, është biseduar, është biseduar domethënë para një kohe, por ende nuk ka diçka konkrete, varet prej zhvillimeve në vend, varet prej Qeverisë së çfarë planesh kanë”, ka thënë Ismaili.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e këtij dikasteri, që është aktualisht edhe më i kritikuari, Ismaili la të kuptohet se do ta bënte një gjë të tillë.
“Po unë do ta analizojë normalisht një ofertë të tillë dhe krejt varet domethënë se si po sillen çështjet tjera”, ka thënë Ismaili në një prononcim për Express.
Mundësia që Ismaili të marrë këtë pozitë është përmendur kohë më parë nga zyrtarët e AKR-së.
Ndërkohë burime të Express thonë se riformatimi i Qeverisë tash është çështje ditësh. Për diçka të tillë Thaçi dhe Pacolli janë dakorduar gjatë qëndrimit në New York së bashku. Mësohet se në mesin e ndryshimeve të dakordauara, përveç tjerash, është edhe largimi i Beqajt pasi ai është identifikuar si fajtori kryesor për mosrealizimin e projekteve kryesore ekonomike, si shitja e 75 për qind të aksionëve të operatorit Vala, si dhe bërjen realitet të ndërtimit të kapaciteteve të Termocentralit Kosova e Re./Indeksonline/