E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alket Rizai: Do arratisem deri në pikën e fundit të gjakut

Disa ditë pas përpjekjes së dështuar për t'u arratisur nga burgu i Malandrinos, i dënuari shqiptar Alket Rizai tregon nga burgu për News 24 arsyet pse u përpoq të arratisej, dhe përse mbajti peng për 24 orë oficerët e burgut.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me moderatoren e emisionit me “Zemër të Hapur” Evis Ahmeti, Rizai rrëfen se tentativa e tij e radhës për t'u arratisur erdhi si pasojë e drejtësisë së munguar.

Ai shprehet se nuk ka kryer asnjërën nga vrasjet për të cilat akuzohet, por se në Greqi njerëzit dënohen kot, siç thotë ai, thjesht se janë shqiptarë. Rizai shkon më tej, duke akuzuar se policia greke ka keqtrajtuar dy bashkëpunëtorët e tij në tentativën e fundit për arratisje dhe i ka dhunuar fizikisht.

“Gjendja ime tani është shumë e mirë, ndodhi ajo që patë, mora peng 7 policë. E bëra për të dhënë një mesazh, na dënojnë kot se jemi shqiptarë. Mua më akuzojnë kot. Më akuzojnë për 4 vrasje. Në këtë shtet nuk e gjen dot të drejtën, jo unë, por të gjithë shqiptarët. Nëse për mua do kishte një fakt mirë, por nuk ka. Këtu keqtrajtohen të dënuarit, për incidentin e fundit, të huajve këtu ju thyejnë brinjët, nuk i cojnë as në spital. Kisha dy bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, ata janë keqtrajtuar”, thotë ai.

Duke folur për dënimin, Rizai shtoi se prokuroria dhe gjykata e kanë shpallur të pafajshëm por e kanë dënuar 72 qytetarë, që sipas Alketit ishin detyruar dhe rrahur nga policia që të dëshmonin kundër tij.

I pyetur se cfarë rruge do ndjekë ai për të qënë i lirë, Rizai përgjigjet: “Kush është ai qorr që nuk do sy? Nuk e di surprizën e radhës, por do riarratisem. Që nesër do doja të kthehesha në Shqipëri për gjykim, jam 100% i pafajshëm. Nuk po them se nuk jam ëngjëll, por as djall nuk jam. Këta më kanë kapur për krime që s'i kam bërë. Nuk kam lidhje fare me vrasjet. Fundja e kam pranuar që kam grabitur bankat greke. Deri në pikën e fundit të gjakut tim do luftoj, jo vetëm për vete, por për mijëra shqiptarë të dënuar padrejtësisht”, tha ai më tej./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›