Mukaj: Kjo Tiranë synon turin e dytë të Champions

Edhe klubi ka kaluar në situatë jo të favorshme, ai beson se bardheblutë kanë një grup të mirë lojtarësh, falë të cilëve lë të nënkuptohet se mund të arrihet jo vetëm titulli kampion i Shqipërisë, por edhe deri në turin e dytë të Champion League.
Sipas tij, askush nuk duhet të gënjehet nga paraqitja e kohëve të fundit e skuadrës, pasi ajo ka ardhur për shkak të shumë faktorëve, ku veçon më shumë atë psikologjik, pasi shumë lojtarë janë të rinj dhe nuk janë mësuar me kaq shumë presion.
“Objektivi i arritshëm i Tiranës aktuale është turi i dytë i Champions League”, nënvizon kapiteni bardheblu, i cili pas pak ditësh, më saktë më 21 dhjetor përgatitet të festojë 32-vjetorin e tij. Edhe pse për shkak të dëmtimeve, ka qenë i detyruar të qëndrojë për shumë kohë larg skuadrës, gjithsesi tenton të japë një mendim të tijin rreth rokadës së trajnerëve.
“Nuk është se kam një mendim personal për ish-trajnerin Slishkoviç, për sa i përket anës teknike, pasi unë shumë pak kam punuar më të për shkak të mungesës së gjatë, por duke u bazuar në mendimet e shokëve të mi, të cilët morën pjesë në fazën përgatitore, mund të them se ishte një trajner i përgatitur, i cili ka zhvilluar një stërvitje të mirë të skuadrës. Dukej se ishte një trajner i aftë. Gjithsesi, futbolli është i poshtër, jo gjithmonë fiton më i miri”, shpjegon Mukaj, i cili megjithatë nuk e ka pëlqyer reagimin e trajnerit në momentin e lamtumirës, pasi sipas tij, Slishkoviç nuk u tregua i sinqertë, madje i pabesë.
“E vetmja gjë që nuk më pëlqeu te ky trajner, ishte fakti se kur iku, u mundua të shmangte përgjegjësitë nga vetja, duke ua hedhur ato futbollistëve, shton kapiteni. Nuk është e normale, që një trajner, pasi nuk arrin rezultate për një farë kohe, t’ua hedhë fajin vetëm futbollistëve. Në rastet të tilla faji është i të gjithëve”.
Po ashtu, vlonjati bardheblu që prej 2002-it, nuk pranon të flitet për klane të reja apo të vjetra te Tirana: “Për sa u përket klaneve, unë mendoj se ata nuk ekzistojnë. Është e pamundur që një lojtar, i cili ka vetëm dy muaj që ka ardhur te Tirana, të ketë ndërtuar një klan të tijin, prandaj mendoj se janë vetëm thashetheme”. Edhe ai si të gjithë të tjerët i ka kthyer sytë te trajneri i ri, Agustin Kola, i cili sipas tij i ka të gjitha mundësitë për të udhëhequr këtë Tiranë drejt triumfeve të munguara së fundmi.
“Agustin Kola është një njeri i Tiranës, për të cilin unë kam respekt. Të them të drejtën kam punuar shumë pak me të në postin trajnerit, gjithsesi besoj se ai do të mund të bëjë mirë detyrën e tij, për faktin se Tirana e ka një grup të mirë lojtarësh”, përfundon kapiteni, i cili shpreson që shumë shpejt të rikthehet në fushë.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code