E Diel, 1 Nëntor 2026

Mullan: Lidhja mes nesh ishte shumë e fortë

Stephen Mullan dhe Emiljana Palushaj në ditën pas premierës tregojnë punën me rolet në operën "Jeta është ëndërr". Mullan lë "La Scala"-n për Tiranën. Palushaj e lumtur nën rrobën e Rozaurës së parë


Premiera e operës "Jeta është ëndërr" (1532-1536) e Calderon De La Barca-s, e kompozuar nga David Tukiçi, me libret të Gaicomo Garbone-s dhe Tukiçit, pati një mbrëmje shumë të mirë në Teatrin e Operës të mërkurën. Publiku gjithashtu e priti mjaft mirë. Muzika e Tukiçit dhe zërat e këngëtarëve ishin dy elementë më të mirë.


Tenori Stephen Mullan ishte i shkëlqyer, ndoshta ngaqë kishte përballë edhe një soprano të nivelit të lartë si Emiljana Palushaj, që e zotëruan deri në fund dramën e personazheve.


"Jeta është ëndërr" ruajti ritmin për tri orë, kurse elementët koreografikë, këngët e korit dhe pjesët orkestrale, nuk lejuan për asnjë çast që shfaqja të humbte gjallërinë. Balerinët me koreografinë e Agron Aliajt i bënë një lexim të nëndheshëm legjendës, ëndrrave të fshehura dhe dëshirave të heshtura të dy personazheve, Rozaurës dhe Sixhizmondos.


Mullan dhe Palushaj përjetuan qartë vuajtjen, inatin, urrejtjen, e personazheve por edhe ndjenjën e fortë që i bashkonte, dëshirën e ethshme për të qenë me njëri-tjetrin.
"Jeta është ëndërr" rrëfen padrejtësinë e jetës mbështetur në historinë e Sixhizmondos, i burgosur qysh në lindje nga i ati, Bazilio, mbret i Polonisë.


Me pretekstin se yjet kishin parashikuar që i biri do të bëhej një mbret mizor, Bazilio nuk e kishte lënë asnjë ditë të lirë. Një ditë vajin e zakonshëm të Sixhizmondos, e dëgjon Rozaura, një pelegrine që po kalonte në atë rrugë për hir të një gabimi, pasi qëllimi i saj është të marrë hak ndaj Astolfos, Dukës së Moskovias.


Calderon De La Barca e përmbys një çast fatin e Sixhizmondos. Bazilio vendos që i biri të mbretërojë për një ditë, për të vërtetuar parashikimin e yjeve. Të tjera tortura dhe provokime, bien mbi kurriz të Sixhizmondos dhe shuhet çdo shpresë për një jetë me të dashurën e tij të zemrës që ka një fat tragjik në vepër.


Tenori nga Uellsi, Stephen Mullan ka lënë përgjysmë angazhimet në teatrin "La Scala" të Milanos ku punon prej 11 vitesh, për të interpretuar Sixhizmondon në Teatrin e Operës në Tiranë, një rol që ai e quan "një trampolinë për të vazhduar përpara". Mullan rrëfen rreth kësaj përvoje, në krah të sopranos Emiljana Palushaj.


Stephen, ç'të shtyu ta lije "La Scala"-n dhe të bëje një rol në Shqipëri?


E mendova një rol të rëndësishëm. Besova në projektin e Davidit. Braktisa rrogën time dhe thashë do të jap njëqind për qind nga vetja për këtë projekt. Tani ai vërtetoi se ishte një investim i mirë. E shoh si një trampolinë për të bërë gjëra të tjera dhe për të vazhduar përpara.


Si e takove Tukiçin?


E kam njohur nëpërmjet një prej mikeve të mia më të mira, një pianisteje të shkëlqyer, Elda Laros. Aktualisht është në "Teatro Massimo Bellini di Catania", Siçili. Shkova aty për një master-class dhe në të njëjtën ditë takova Davidin.


Kjo ndodhi në janar të këtij viti. Davidi nuk po gjente tenor për operën dhe më kërkoi të interpretoja diçka. Pasi interpretova, më tha: "Ti je Sixhizmondo, ti je ai që po kërkoja". Lashë punën time dhe u mora me projektin.


Si t'u duk fillimisht?


Mendoj se është një përzierje tiparesh. Është një fisnik. Calderon besonte se një njeri që ka lindur fisnik (fisnik), edhe sikur të trajtohet si kafshë, të edukohet kështu, në shpirt ka për të mbetur shpirti fisnik.


Tek Sixhizmondoja më pëlqen fuqia, egërsia, por dhe ndjeshmëria e pabesueshme, ëmbëlsia që ai ka. Është një karakter shumë i fortë, por ndërkohë shumë i brishtë. Ai jeton në tri-katër ditë, përvojën e një njeriu në 40 vjet.


Ka shumë temperament. Dhe ne njerëzit e Uellsit, jemi shumë të ngjashëm me ju shqiptarët, jemi njerëz krenarë. Nuk kemi frikë të tregojmë ndjenjat tona, të kalojmë nëpër ekstreme, nga qetësia në egërsi.


Me vokalin gjithçka ishte në rregull?


Ky rol ka pjesë që duhen kënduar me zë bariton, zë i mesëm që është i vështirë për një tenor dramatik. Atij i duhet të deklamoj.


Më pas kalohet në ekstremin tjetër. Është "Passaggio", aria më e vështirë për tenorin, me shumë nota të larta. Është një gamë e gjerë që ka nevojë edhe për ngjyrime të errëta dhe heroike. Davidi e caktoi rol dramatiko-lirik.


Urime edhe për interpretimin.


Perfeksioni nuk ekziston. Ne jemi këngëtarë, nuk jemi pianistë, nuk jemi violinistë. Ne kemi zërin brenda nesh. Ndonjëherë nxjerrim tinguj të bukur, ndonjëherë të shëmtuar. Mendoj se interpretimi është gjëja më e rëndësishme.


Dhe mbrëmë, komentet e njerëzve që erdhën të na takonin, ishin: "Faleminderit për emocionin që na dhatë". Kur isha shumë i ri, më bënin pyetjen: "Përse zgjodhe të këndosh?


Është shumë e vështirë!". Unë i përgjigjesha: "Nëse kam 1000 njerëz përpara meje dhe bëj vetëm njërin të ndihet mirë në fund të ditës, unë e kam bërë punën time. E përdor veten time në shërbim të muzikës. Jo për të thënë: "Më shikoni mua".


Po marrëdhënien me partneren si e sheh?


Kam tri partnere të ndryshme. Do të jap tri shfaqje me tri soprano, ku çdonjëra prej tyre është e ndryshme. Të duhet të krijosh një lidhje me personin tjetër. Kur jam në një skene nuk mendoj për veten por për muzikën, për gjithçka rrotull meje, në mënyrë që gjithçka të dalë mirë.


Kështu që nëse partneri yt bën diçka ndryshe, duhet ta ndihmosh atë. Emiljana natën e kaluar, ishte e pabesueshme. Lidhja mes nesh ishte shumë e fortë. Mendoj se nëse je i hapur gjërat përshtaten vetiu së bashku.


Nëse ke një partnere të ndjeshme në krah, puna bëhet më e gëzueshme. Kupton kompleksitetin për të ndihmuar njëri-tjetrin, jo për t'u shfaqur vetë. Duhet të kemi të ngulitur në kokë idenë: "Le të bëjmë një shfaqje të madhe."

Kjo është lidhja që pate me Emiljanën?


Të gjithë këtu e kanë pranuar këtë projekt me mendimin: "Ta bëjmë së bashku". Kjo është ajo që kërkoj të ndërtoj me të tri sopranot. Emiljana ka një zë të mrekullueshëm dhe është shprehëse.


Cilën pjesë shijove më shumë nga opera?


Për mua momenti më i bukur i operës është kur Emiljana këndon arien në fillim të aktit të tretë. Intensiteti, ëmbëlsia e kësaj arieje e bën tenorin të ndihet xheloz pse e ka sopranoja këtë arie.


Beson se "Jeta është ëndërr", do të shohë edhe skena të tjera?


Opera i ka të gjitha. Është moderne, edhe pse është shkruar qindra vite më parë, është shumë bashkëkohore për sa i përket dhunës shoqërore, padrejtësive. Unë nuk e di se çfarë mendon Davidi të bëjë tani.


Nëse do ta rishohë operën. Mbase nuk është e nevojshme. Është e shkëlqyer ashtu siç është. Gjëja që e bën interesante është se është një opera me balet, me një dramë të fortë, me një histori shumë të fortë, muzika i mbetet në mendje njerëzve. Kjo është e rëndësishme.

Dole i kënaqur nga ky bashkëpunim i parë me Shqipërinë?


Po. Ishte një provë shumë e madhe e jetës sime. Roli ishte shumë i vështirë sepse është gjithmonë proklamues. Një tenor nuk mund të bërtasë. Kështu që duhet të gjesh balancën.


Emiljana Palushaj:

Çfarë të bëri për vete tek Rozaura?


Emocioni dhe temperamenti i saj. Rozaura në aktin e parë dhe të dytë paraqitet me një temperament shumë të fuqishëm, luftarak. Më pas shpërfaqet e dashuruar, e
e ndjeshme e saj.


Po vokalisht dhe në interpretim?


Nuk kisha provuar të këndoja në një tesiturë të atillë. Por e mora si një sfidë. Me punën intensive që kemi bërë, orët e zgjatura, me maestron David Tukiçi dhe pianistin e shkëlqyeshëm Genc Tukiçi ia arritën qëllimit ta zbërthenim si karakter. Pasi roli u përshtat edhe në vokal, fillova vërtet të ndihesha mirë. Ky rol ishte vërtet një sfidë.
Interpretimi erdhi shumë natyrshëm.


Patët ndihmë e regjisorit për këtë?


Na ndihmoi në zbërthimin psikologjik të personazhit. Rozaura nuk duhej të linte të kuptohej që poshtë atyre rrobave fshihej një femër. Kurse në pjesën e dashurisë çdo gjë vinte shumë më natyrshëm.


Si ishte Stephen-i si partner?


Që në momentin e parë që e kam dëgjuar të interpretonte, thashë me vete: "Vërtet kam të bëjë me një artist që jo vetëm ka një zë shumë të bukur, por edhe di të japë shumë bukur edhe ndjenjat.


Cilën pjesë interpretove më me dëshirë?


Nuk kam për ta harruar asnjëherë momentin që interpretova arien. Aria është kulmi jo vetëm i Rozaurës si personazh, por edhe i operës.


A i ka ikur koha dashurisë që rrëfen Calderon?


Nuk e mendoj kështu. Dashuria është ndjenja më e bukur që mund të provojë një njeri. Madje jam pro mendimit të asaj që ka dashur të shprehë Calderon: dashuria e vërtetë ekziston edhe pas vdekjes.


Pas shfaqjes cili ishte urimi më i bukur që more?


Kam marrë shumë urime. Ndiheshin që ishin të sinqerta dhe shumë të forta. Shumë veta më kanë thënë: "Na bërë për të qarë". Qëllimi ynë që emocionet të mos i përjetojmë vetëm ne, por edhe të prekë zemrat e auditorit.


Për mua privilegj që të punoj përkrah dy artistëve maestros David Tukiçi dhe pianistit Genc Tukiçi. Mirënjohje për ta dhe një falënderim i veçantë që më besuan Rozaurën e parë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›