E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ektradohet hasmi i Lul Cakës

Manol Begaj, i akuzuar për vrasjen për hakmarrje të vëllait të Lulëzim Cakës mbërriti dje pasdite i prangosur në Rinas


I kërkuari ishte arrestuar nga policia italiane në Breshia, ku ishte kapur për shitje dhe shpërndarje droge


Ekstradohet nga Italia Martin (Manol) Begaj, hasmi i Lulëzim Cakës, i dënuar për vrasjen e të vëllait të këtij të fundit Bardhok Caka, në vitin 1999. Kjo hakmarrje, sipas njoftimit zyrtar të policisë ka ndodhur pas vrasjes së vëllait të të ekstraduarit të djeshëm Katriot Begaj, nga Lulëzim Caka në Berat.


Ekstradimi i Begajt, u konfirmua dje nga zyra e Interpol Tiranës e cila pohoi se Begaj është dënuar nga Gjykata e Beratit me 20 vite burg në vitin 2001, për vrasjen e vëllait të Lulëzim Cakës me 29 nëntor të vitit 2001, në fshatin Samaticë të Beratit, kur ai ishte vetëm 19 vjeç.


Begaj ishte arrestuar nga policia italiane në qytetin e Breshias, ku ndiqej nga policia italiane i dyshuar për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa sipas mediave italiane që i referoheshin policisë, ai punonte edhe si pllakashtrues. Në momentin e arrestimit karabinierët i gjetën dhe i bllokuan një sasi prej disa gramësh lënde narkotike si dhe një sasi prej 5 mijë eurosh.


Më pas nga verifikimi i autoriteteve policore italiane është mësuar se Begaj, ishte i kërkuar nga Policia e Shqipërisë, për krimin e vrasjes për motive hakmarrjeje mes dy familjeve në fshatin Samaticë të Beratit.


Madje ata kanë mësuar se edhe emri i tij, ishte i ndërruar dhe rezultonte të figuronte edhe me emrin Martin dhe Manol Begaj.I ekstraduari i djeshëm mësohet se është larguar në drejtim të Italisë menjëherë pas dënimit të tij me qëllim për t'i shpëtuar vuajtjes së dënimit për krimin për të cilin ai akuzohej.


Hakmarrja


Në njoftimin e djeshëm të Policisë së Shtetit, thuhej se Begaj ishte dënuar me vendim të datës 15 mars të vityit 2001, me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale te "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje", e parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2, të Kodit Penal. Me 29 nëntor të vitit '99, në Samaticë, sipas policisë, ai vrau me armë zjarri Bardhok Cakën, vëllain e Lulëzim Cakës.


Motivi i kryerjes së kësaj vrasjeje sipas policisë ka qenë hakmarrja mes dy familjeve, që ka shkaktuar disa të vrarë në Berat. Hakmarrja mes dy familjeve në fshatin Samaticë të Beratit, përveç të vrarëve dhe të plagosurve, la pas histori hakmarrjesh, viktimë e së cilës mbeti edhe nëna e Lulzim Cakës.


Kjo e fundit u vra në kohën kur i biri Lulëzimi ishte në burgun e Lushnjes ku qëndronte i arrestuar në pritje të dënimit të tij. Pas kësaj vrasjeje, ai arriti të arratisej duke u hakmarrë ndaj personave që ai mendonte se i kishin vrarë të ëmën po për motive hakmarrjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›