E Shtunë, 31 Tetor 2026

Multidrama

Fondacioni i pavarur kulturor rajonal Hartefakt me seli në Beograd dhe Qendra Multimedia nga Prishtina shpallin konkurs për dramën më të mirë të angazhuar bashkëkohore në gjuhen serbe, kroate, boshnjake, malazeze dhe shqipe.

Dramaturgët kosovarë kanë mundësi që shumë lehtë t’i fusin në xhep pesë mijë euro. E tëra çka duhet të bëjnë është që të konkurrojnë në konkursin për dramën më të mirë të angazhuar bashkëkohore në gjuhen serbe, kroate, boshnjake, malazeze dhe shqipe, të shpallur nga fondacioni i pavarur kulturor rajonal Hartefakt, me seli në Beograd, dhe Qendra Multimedia nga Prishtina. Por, nuk mjafton vetëm konkurrimi, pasi që, për t’i futur në xhep pesë mijë euro, atyre u duhet edhe të fitojnë besimin e jurisë.

Në një komunikatë, të dërguar nga qendra Multimedia, bëhet e ditur se të drejtë pjesëmarrjeje në konkurs kanë të gjithë autorët me banim në territorin e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa, juria, e cila do të marrë vendim për tekstin fitues dhe do të bëjë përzgjedhjen e pesë dramave më të suksesshme, është e përbërë nga Biljana Srbljanović (dramaturge), Ana Tomović (regjisore teatri) dhe Jeton Neziraj (dramaturg).

“Çmimi i parë në konkurs nënkupton ndarjen e një shume të hollash prej 5000 euro (neto). Ky çmim përfshin edhe blerjen e të drejtave për realizimin e dramës fituese deri në fund të vitit 2013 me produksion të fondit Hartefakt, në njërin nga teatrot rajonale. Fondi Hartefakt dhe Qendra Multimedia obligohen që, në formën e shtypur, t'i botojnë përmbledhjet me pesë tekstet dramatike që hyjnë në rrethin e ngushtë, në serbisht dhe shqip. Përveç kësaj, fondi Hartefakt dhe Qendra Multimedia janë të gatshëm që ta përkrahin dhe inkurajojnë afirmimin artistik dhe promovimin e teksteve më të suksesshme dramatike nga konkursi, i cili është i hapur deri më 30 qershor, ndërsa afati i fundit për vendimin e jurisë është 15 shtatori”, thuhet në konkursin e shpallur.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për rregullat e konkursit, kriteret themelore me rastin e vendimit të jurisë do të jenë vlera artistike dhe aktualiteti i temës. Dramat që me mesazhin e tyre inkurajojnë dhunë, jotolerancë fetare dhe nacionale, si dhe diskriminim të çfarëdo lloji apo forme, nuk do të merren parasysh si kandidatë potencialë për çmim. Të drejtë pjesëmarrjeje në konkurs kanë vetëm veprat origjinale, te pabotuara dhe të painskenuara.

Një autor apo autore mund të paraqes më se shumti dy drama për konkurs. Në të kundërtën, aplikimi nuk do të merret parasysh.

Vitin e kaluar, çmimin e parë në këtë konkurs e ka fituar dramaturgia kosovare Doruntina Basha, me dramën ‘Gishti’, e cila, sipas jurisë, dallohet për nga potencialet e saj dramatike, nivelin e lartë letrar dhe trajtimin impresiv artistik të një teme të ndjeshme nga jeta bashkëkohore, në të cilën të gjithë mund ta gjejmë veten.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›