E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësitë e humbura në Ballkan

A mund të jetë 20 vjetori i rënies së murit të Berlinit një datë e rëndësishme edhe për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin? Dhe nëse po, pse?
Loza: Është kjo ndoshta një mundësi e mirë që dy rajonet të pasqyrojnë se sa kanë humbur ato në fushën e zhvillimit politik, social dhe ekonomik, në krahasim me Europën Qendrore dhe shtetet e Baltikut. Përderisa periudha nga viti 1989 deri në vitin 1991 ka qenë e suksesshme për ish-shtetet komuniste, të cilat shfrytëzuan ndihmën e Perëndimit, dy dekadat e kaluara në Ballkan dhe Kaukaz janë karakterizuar nga konfliktet etnike. Për to, rënia e komunizmit ka qenë vetëm një fusnotë. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë, në sipërfaqe dolën çështjet etnike dhe ajo e identitetit kombëtarë.

Çfarë efekti ka pasur izolimi i disa shteteve, si për shembull ai i Shqipërisë, në zhvillimin e tyre gjatë dy dekadave që pasuan?
Loza: Në rastin e Shqipërisë, izolimi nga bota e jashtme ka qenë ekstrem dhe mund të krahasohet me atë të Koresë së Veriut. Banorët e Jugosllavisë kanë qenë të lirë që të udhëtojnë pa viza dhe kanë udhëtuar në shumë vende, përderisa Jugosllavia kishte ruajtur baraspeshën mes dy blloqeve gjatë gjithë kohëzgjatjes së Luftës së Ftohtë. Shqiptarët sot kanë mundësi të udhëtojnë, por nuk janë gjithmonë në gjendje ta bëjnë këtë, për shkak të regjimit të vizave dhe për faktin se shumë prej tyre ende janë të varfër. E njëjta gjë vlen tërësisht apo pjesërisht edhe për shtetet e dala nga Jugosllavia. Megjithatë, këto vende e konsiderojnë vetën si pjesë të botës. Insistimi i shteteve të BE-së, për të ruajtur regjimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, aq shumë vjet pas përfundimit të luftërave, ka qenë një gabim i madh. Kjo ka dekurajuar trendët demokratike, si dhe bashkëpunimin shkencor dhe kulturor. A ka mbrojtur ky regjim BE-në nga bandat kriminale nga Ballkani? Përkundrazi, regjimi i vizave ka trimëruar kriminalitetin e organizuar.

A kanë qenë luftërat në Ballkan humbja më e madhe për BE-në në dy dekadat e fundit?
Loza: Nuk mendoj se BE-ja duhet të fajësohet, për luftërat që shpërthyen pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Atëbotë, unioni nuk ka pasur politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes. Brukseli gjithashtu nuk posedon mjetet e nevojshme, për të ndalur një luftë. Por fuqitë ushtarake të Europës, Franca dhe Britania, si dhe SHBA-ja, nëpërmjet NATO-s, kanë qenë dhe janë përgjegjëse për sigurinë e Europës. Ato është dashur dhe kanë mundur të intervenojnë ushtarakisht në fazat e hershme, për të mbrojtur civilët dhe për të krijuar hapësirë për zgjidhjen paqësore të konflikteve etnike. Në vitin 1995, gjatë luftës në Bosnje, bashkësia ndërkombëtare u turpërua aq shumë, sa që u detyrua të intervenojë. Rasti i Kosovës dallon. Kriza në këtë vend kishte potencial që të përhapej edhe në shtetet fqinje, prandaj NATO-ja kishte arsye strategjike për të vepruar. Në njëfarë mënyrë, regjimi i Slobodan Milosevicit u dënua për Kosovën jo për shkak të asaj që kishte bërë në Kosovë, por për shkak të asaj që kishte bërë në Bosnje dhe që po përgatitej të bënte në Kosovë.

Sipas mendimit tuaj, edhe për sa kohë do të mbetet Ballkani Perëndimor vrimë e zezë në Europë? A është e mundur që të parashikohet orari i pranimit të shteteve nga ky rajon në Union?
Loza: Ballkani nuk është më vrimë e zezë. Bëhet fjalë për shtete me probleme të mëdha, përfshirë këtu edhe problemet strukturore, por këto shtete janë duke shënuar përparim, edhe përkundër faktit se lajmet e ditës gjithmonë përqendrohen në gjërat negative. Por, krahasimi i jetës në Ballkan sot dhe asaj para një dekade nxjerr në sipërfaqe një përparim të vërtetë. Rajoni është më stabil, paksa më i pasur, më demokratik dhe më i rregullt. Sa i përket aspektit të zhvillimit, një dekadë nuk është ndonjë periudhë e gjatë kohore. Sa i përket anëtarësimit të shteteve të këtij rajoni në BE, Kroacia pothuajse me siguri do të kompletojë për më pak se dy vjet negociatat për anëtarësim dhe do të anëtarësohet pak kohë pas kompletimit të këtyre negociatave. Komisioni i Europës ka rekomanduar fillimin e negociatave për anëtarësim edhe me Maqedoninë. Posa të bëhet kandidat zyrtar për anëtarësim, Serbia me gjasë do të jetë në gjendje të lëvizë shpejt në shtegun drejt anëtarësimit dhe kjo mund të pritet edhe në rastin e Malit të Zi. Shqipëria, Bosnja dhe Kosova do të lëvizin më ngadalë, për shkak të problemeve të brendshme që kanë këto shtete. Por, asnjë prej këtyre problemeve nuk janë të pazgjidhshme. Përderisa Bosnja dhe Kosova kanë probleme që ndërlidhen me përbërjen e tyre të brendshme, që të tri shtetet duhet të bëjnë përpjekje të shtuara për të forcuar sundimin e ligjit dhe të sigurojnë funksionimin e duhur të institucioneve shtetërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›