E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësitë e shmangies së problemeve shëndetësore gjatë udhëtimeve

Autori i Lajmit: red.
Ekspertët thonë se njerëzit duhet ta dinë se gjatë udhëtimeve edhe mund të preken nga sëmundje të ndryshme. Një prej këtyre çrregullimeve është hypoksia, rezultat i mungesës së oksigjenit në tru. Ekspertët thonë se trupi i njeriut humbet oksigjen brenda pak minutave pasi aeroplani niset për fluturim. Trysnia e ajrit në aeroplan gjatë fluturimit është më e ulët sesa kur në nivelin e detit. Kjo e bën të vështirë për trupin të përdorë me efektivitet të njëjtën sasi oksigjeni me atë që përdor kur është në tokë. Gjatë udhëtimit me aeroplan gjaku furnizohet me më pak oksigjen sepse më pak molekula oksigjeni kalojnë nëpër mushkëri e pastaj në gjak. Në raste të tilla, furnizimi i gjakut me oksigjen pakësohet deri në 20 përqind.
Dhimbjet e kokës janë një nga pasojat e mungesës së oksigjenit në tru. Në raste te tilla zemra ndërhyn për të rregulluar gjendjen duke rrahur me fortë dhe më shpejt. Kjo bën që udhëtari të ndjehet i lodhur. Këto shenja të hypoksisë nuk janë të rrezikshme për një person të shëndetshëm. Por një rënie e nivelit të oksigjenit mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore tek persona me sëmundje në zemër ose në mushkëri. Ata mund të humbasin ndjenjat ose të pësojnë goditje në zemër. Ekspertët thonë se pirja e duhanit dhe e alkoolit gjithashtu mund të ulë aftësitë e organizmit për të përdorur oksigjen. Prandaj rekomandohet që njerëzit nuk duhet të pinë cigare ose alkool, përpara ose gjatë fluturimit. Ndërsa personat me probleme në zemër a mushkëri duhet të këshillohen me mjekun përpara se të udhëtojnë me aeroplan. Një tjetër problem për udhëtarët mund të përbëjë edhe tromboza e venave, që shkaktohet kur një pjesë e gjakut mpikset duke krijuar grimca të cilat bllokojnë rrjedhën e gjakut në organizëm. Këto grimca mund të shkaktojnë edhe vdekje pasi pengojnë furnizimin me oksigjen të organeve të rëndësishme si zemrën dhe mushkëritë duke shkaktuar embolizmin pulmonar. Ekspertët thonë se udhëtarët që qëndrojnë pa lëvizur 4 orë a më shumë janë në rrezik më të madh për t u prekur nga embolizmi pulmonar, por vetëm një në 6 mijë vetë preken nga tromboza e venave.
Kohët e fundit shkencëtarët pranë universitetit të Harvardit njoftuan rezultatet e një studimi ku thuhet se personat që udhëtojnë kanë 3 herë më shumë gjasa për t u prekur nga tromboza. Sipas tyre, sa më i gjatë të jetë udhëtimi, aq më i madh është rreziku për t u prekur nga tromboza. Shkencëtarët gjithashtu zbuluan se ky rrezik shtohet për çdo dy orë që njeriu qëndron ulur në makinë.
Ekspertët rekomandojnë që për të shmangur rreziqe të tilla, udhëtarët që rrinë ulur për orë të tëra duhet të pinë sa më shumë ujë, por jo lëngje që përmbajnë alkool dhe kafeinë. Këta udhëtarë gjithashtu duhet të shtojnë qarkullimin e gjakut në venat e këmbëve duke u çuar nga ndenjësja çdo një orë e duke kryer ecje të shkurtra e lëvizje të ndryshme për çmpirjen e gjymtyrëve. Mjekët thonë se personi që ndjen dhimbje, ënjtje ose skuqje të lëkurës në njërën këmbë gjatë ose pas një udhëtimi të gjatë mund të jetë prekur nga tromboza. Ata rekomandojnë që çdo njeri me këto simptoma duhet të shkojë tek mjeku sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjendje të tilla mund të trajtohen me barna që hollojnë gjakun dhe ndalin lëvizjen e grimcave të mpiksura të gjakut nëpër organizëm.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›