E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grackat e liberalizimit

Autori i Lajmit: Ibrahim Rexhepi
Alan Greenspan, ish-shefi legjendar i FED-it amerikan, njeriu kryesor për paranë në shtetin me të fuqishëm ekonomik në botë, do të mbetet në histori si njeriu që për të avancuar liberalizimin nuk përfilli asnjë nga teoritë e njohura ekonomike.
Ai i kishte teoritë e veta. Liberalizim të tejskajshëm të ekonomisë dhe tregut. Shteti duhet të mbetet gjithnjë e më larg këtyre proceseve, pasi liria e tregut nuk duron ndërhyrje administrative.
Mirëpo, Greenspan, i cili për 12 vjet rresht udhëhoqi FED-in, në analizat e agjencive autoritative në botë, përmendet si njëri prej fajtorëve pse bota u zhyt në krizë dhe në recesion, që nisi nga SHBA-ja. Kishte besuar së tepërmi në tregun e lirë dhe në punën e autoriteteve rregullative për disa segmente të caktuara.
Në tetor të vitit 2008, e pranoi gabimin dhe kërkoi falje. Zhvillimet në ekonominë botërore gjatë dy viteve të fundit
edhe një herë i kanë riaktualizuar debatet për rolin e shtetit në ekonominë e tregut. Nëse vështrohen reagimet e qeverive të fuqishme, si ajo e SHBA-ve dhe e vendeve të Bashkimit Evropian, shfaqen shenja të dorës së fortë në ekonomitë deri më tash të njohura për liberale.
SHBA-ja dhe BE-ja është dashur të nxjerrin nga fondet qeveritare rreth 10 bilionë dollarë, që ta shuajnë zjarrin që kërcënonte jo vetëm ekonomitë, por edhe funksionimin e tyre normal shtetëror. Investuan në kompani private ose aksionare.
Bankat dhe industria e automobilave morën mbrojtje të fortë nga shteti. Së pari, me mbrojtjen e bankave u mbajt gjallë
shpresa për konsolidimin më të shpejtë të tërë ekonomisë. Ato duhet të japin kredi, t i ulin kamatat dhe në këtë mënyrë
të ndikojnë në rritjen e investimeve dhe të konsumit. Me këtë segment ka shumë ngjashmëri edhe industria e automobilave,
që në fakt nënkupton degën e përpunimit të metaleve dhe ndërtimit të makinave. Nuk ishin në pyetje vetëm punëtorët
që punojnë aty, por një zinxhir i tërë - xehetaria, metalurgjia, rafineritë e naftës...
Po të mos ndërhynte shteti, pasojat do të ishin katastrofike. Falimentimet do të bëheshin përditshmëri, papunësia dhe varfëria do t i përfshinin edhe vendet më të pasura dhe, në fund, tensionet sociale dhe politike do të ishin të paevitueshme. Pra,
do të mbretëronte kaosi dhe jostabiliteti. Do të binin qeveritë.
Mundësia e situatave të këtilla nuk e lë të qetë asnjë qeveri normale.
Ato nuk ngurrojnë që paratë e tatimpaguesve t i mobilizojnë për shpëtimin e bizneseve private. Në këtë pikë janë të kuptueshme edhe reagimet e qytetarëve, pasi ata nuk janë fajtorë pse pësuan kolaps kreditë hipotekare, ose pse bankat humbën shumë para dhe tash nuk janë në gjendje t u përgjigjen
kërkesave të depozituesve, apo të fillojnë një cikël të ri të investimeve.
Në një botë tjetër, kryesisht atë të vendeve në tranzicion, mbretëron një logjikë tjetër. Qeveritë mundohen të shesin gjithçka që kanë në pronësi. Për këtë turr, ato gjejnë dy motive – se biznesi privat ndihmon lulëzimin e ekonomisë, dhe se duhet hequr qafe mbeturinat e fundit të ish-sistemit. Në
prapavijë janë edhe zhvillimet e tjera, që siç i elaboron Misha Glenny në librin “Mc Mafia”, në këtë fazë të tranzicionit, fshihen edhe ambiciet për përfitim. Gjithkund gjenden mekanizmat që funksionojnë si transmision ndërmjet shtetit dhe investitorëve. Herë janë legalë, e herë ilegalë. Mirëpo, zhvillimet
e këtilla në cilindo shtet normal cilësohen si krim. Ndërkaq, atë duhet ta luftojë mekanizmi shtetëror, nëse ka shpëtuar nga
kriminalizimi. Nuk dua që brenda kopertinave të këtij libri t i gjej ngjashmëritë
ndërmjet zhvillimeve në vendet e kalbura në tranzicion dhe të proceseve që po i udhëheq Qeveria e Kosovës.
Posaçërisht pse tranzicioni i mirëfilltë ekonomik fillon me pavarësinë e Kosovës, ndërsa të gjitha proceset që mbajnë
Vulën e UNMIK-ut më shumë kishin për qëllim ruajtjen e “status quo”-së, se sa krijimin e ambientit për ndryshime substanciale.
Ilustrimi më i mirë është procesi i privatizimit, i cili nuk solli ciklin e ri zhvillimor, si edhe politika fiskale që synon mbushjen e arkës shtetërore, por jo edhe përkrahjen dhe mbrojtjen
e bizneseve vendore. Edhe pas pavarësisë, këto dy procese ende zhvillohen në konturet që i la UNMIK-u.
Proceset e paralajmëruara janë edhe më të ndërlikuara. Shteti po ndjek shembullin e ish-shefit të FED-it: sa më larg ekonomisë,
tregu është një autorregullator. Tash do të ndodhë shitja e krejt energjetikës, prej minierave e deri te bartja, Aeroporti
Ndërkombëtar i Prishtinës jepet me koncesion, shitet “Vala” (telefoninë fikse s e blen askush), nesër vijnë në rend hekurudhat dhe segmentet e tjera të shërbimeve publike. Me shpresë
se ato do të jenë më cilësore dhe më të lira. Mirëpo, a janë reale
këto pritje? A do të kujdeset investitori i ardhshëm ndaj Kosovës dhe popullatës së saj, njësoj sikurse qeveria e këtij vendi? Jo.
As që e kanë për obligim. Ata këtu vijnë për para dhe për profit. Ndërkaq, Qeveria do të tregohet e mençur nëse ka mundësi
dhe di të ndërhyjë në këtë interes. Nëse ajo mbetet rob i liberalizimit total dhe i ekonomisë së tregut, nuk ka hapësirë të
ndërhyjë. Investitori mbetet më i fuqishëm. Për këtë arsye, ajo duhet ta pranojë konceptin e shitjes “hap pas hapi” të kompanive publike, t i ruajë resurset kombëtare dhe përmes tyre t i mbrojë interesat vitale të qytetarëve të Kosovës. Tekefundit, ajo nuk guxon të shndërrohet në Qeveri që vetëm shet, pasi nesër mbetet pa asgjë. I vetmi përkujdes i mbetet vjelja e taksave dhe menaxhimi i financave publike.
Por, çka do të ndodhë nëse punët nuk shkojnë ashtu siç dëshiron Qeveria? Nëse një investitor falimenton? Apo, nëse nuk
arrin t i përmbushë obligimet që ka marrë? Për ilustrim, po përmendim rastin e “Llamkosit”, i cili është buzë falimentimit.
Aty Qeveria s ka shans të ndërmarrë diçka, meqenëse ai është biznes privat. Madje, edhe AKP-ja nuk do ta ketë shumë lehtë t i kthejë aksionet që i ka shitur. Investitori ikën, kurse problemet sociale do t i mbeten në barrë shtetit. Ose, pse as Qeveria, e as AKP-ja, nuk patën fuqi të ndërhyjnë në mënyrë më energjike të privatizimit me “spin off“, madje edhe aty ku ishin të bindur se puna nuk po ecë? E dimë se investitori mund të kthehet në vendin e vet, duke i lënë këtu të gjitha të ligat. Zhvillimet në shumë vende të botës tregojnë se shitja e pasurive
nuk sjell gjithmonë fat. Qeveritë po paguajnë tagrin më të madh. Ose, thënë më ndryshe, edhe në ekonomitë më
liberale intervenimi është i domosdoshëm, qoftë edhe duke marrë në pronësi të përkohshme aksione të kompanive të
fuqishme aksionare. Dhe, krejt kjo ndodh për shkak se investitori nuk është gjithmonë i përgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve. Në momentin kur e ka ngushtë, tërhiqet, apo shpall falimentimin.
Kurse, ”këmbët e arushës” i mbesin Qeverisë.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›