E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësitë e trupit të njeriut

Mbi Festivali Ndërkombëtar i Dancit Kontemporan


Ceremonia që mbylli "Albania Dance Meeting" Festivali Ndërkombëtar i Dancit Kontemporan në teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, iu bë homazh veprës dhe jetës së magjistarit të koreografisë shqiptare Panajot Kanaçi.


Në çast më erdhën në mend mendime që ai i ka shprehur herë pas here: "Jo gjithkush nga krijuesit arrin të kuptojë se trupi i njeriut ka aftësinë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë labirinthin e jetës njerëzore."


E në ndonjë rast tjetër: "Të vallëzuarit i ngjan valëve të detit: kur janë të qeta të bën të ëndërrosh, e kur janë të shqetësuara dhe të larta dëshiron të fluturosh në krahët e ëndrrave që ndjell pamja e këtyre valëve."


Në mbrëmjen e fundit në festivalit që u zhvillua për të pestin vit në Durrës, këtij artisti iu dha (pas vdekjes) Çmimi i Karrierës.


Shprehja e Panajot Kanaçit se "trupi i njeriut ka aftësinë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë labirinthin e jetës njerëzore" i rri bukur idesë së Festivalit të Dancit që prej pesë vitesh drejton koreografi Gjergj Prevazi, një festival unik në Shqipëri.


Ai i ka dhënë jetë këtij festivali edhe duke sfiduar skeptikët që nuk kanë patur dhe nuk kanë besim që projekte të tilla promovojnë vlerat kombëtare dhe më gjerë.


Vetëm këtë vit morën pjesë kompani nga ShBA, Franca, Zvicra, Spanja, Izraeli, Hungaria, Suedia dhe Shqipëria. Katër vendet e para morën pjesë me dy kompani. Aktivitetet u shtrinë në një muaj, me 22 shfaqje që u dhanë në Durrës, Tiranë, City Park, Elbasan, Fier etj..


Në tërësinë e temave dhe ideve të shfaqjeve dallohej së pari preokupimi i koreografëve për temat psikologjike, narrative, me episode që duken nganjëherë të demonstruara nga kërcimtarët me lëvizje "jo harmonike", por që janë të përshtatura dhe të integruara në modele të modifikuara, sa që duhet patjetër t'i thërrasësh memories, për të shkuar tek burimi e për të dalluar qartësisht atë çka thonë.


Me burim duhet kuptuar: filozofia e kërcimit, që parim kryesor ka shkëputjen, zhvendosjen e këtij lloj kërcimi që është e lidhur me impresionizmin, ekspresionizmin, kubizmin, ku lëvizjet nganjëherë nuk janë lineare dhe krijojnë vështirësi për kuptimin e tyre në skemat e përdorura.


Koreografët thonë që lëvizjet e përdorura dhe që funksionojnë përditë nuk i përshtaten këtij kërcimi, se sa një lëvizje e stilizuar ose e krijuar mbi imazhe që vijnë nga një imagjinatë më e thellë.


E në të vërtetë kështu ndodh kur ndjek këtë festival.


Koreografia e trupës zvicerane Katarzyna & Marco Cantalupo që mbylli festivalin me pjesën "No.Thing" ("Asgjë"), sikur kërkonte të shkonte përtej arsyes për të arritur në kufijtë dhe brenda asgjësë.


Megjithatë ajo kërkonte të përçonte dëshirën për të formësuar ose portretizuar atë që nuk dallohet menjëherë dhe por që mbetet në kujtesën tonë si tepër e veçantë.


Cantalupo e kërkon lëvizjen ose hapin gjatë procesit krijues për të shkuar tek lëvizje të tjera, ose derivate të saj që arrijnë të formësojnë modelin që integrohet shumë mirë tek ideja fillestare e krijimit të tij.


Dukej sikur kërcimi ishte monoton, sikur përpunimi i kalon caqet e arsyes, por nuk është ashtu. Kërcimi i Cantalupos është i kursyer dhe në të vërtetë merr ngjyrime të pafundme dhe të befason me pasurinë e tij.


Kur artisti ose publiku fillon ta kuptojë këtë kërcim ai duket më shumë "baleti" dhe mesazhet dallohen për mënyrën si vijnë tek publiku me shpejtësi dhe bukuri.


Një kërcimtar, dy ose më shumë, përçojnë me plastikë lëvizjet dhe nganjëherë improvizimet e tyre me mjeshtëri të lartë ekzekutimi dhe interpretimi. Kjo gjë dallohet tek artistët që punojnë dhe shpikin forma të reja kërcimi.


Ose artistë që përqendrohen në lëvizje të njohura kërcimi, të vendosura në struktura të reja. Ato mundohen dhe duan të afirmojnë të tashmen dhe jo të hedhin poshtë të kaluarën.


Koreografët e kësaj gjinie dhe jo vetëm ata, duke eksploruar në koreografinë e popujve të ndryshëm, në stilet e tyre mundohen të gjejnë burime të reja energjie, fusha dhe mundësi të reja që disponon trupi i njeriut për kërcim dhe stil individual.


Në vështrim të parë këto krijime duken sikur janë mbështjellë në një farë hermetizmi dhe çdo gjë tingëllon si absurde. Për shembull, po të vëreje me kujdes shfaqjen e kompanisë spanjolle Lanonima Imperial: Variacione Al-Leluia kapje idenë se kuraja jeton pikërisht tek ndjenja e frikës.


Atmosfera gri dhe engjëjt e rënë përtokë janë shenja enigmatike të filozofisë së autorit e shprehur në gjuhën koreografike. Lënda e krijuar nga ai ka për qëllim të shkëpusë njeriun nga vetmia, nga frika për të mos qenë fare i veçuar dhe në trishtim të plotë.


Me duetet, triot dhe skema të tjera më të mëdha, ai akumulon tek njerëzit energjinë për të pasur kurajën për ta jetuar kohën për sa janë dhe për të mposhtur ankthin që nuk i ndahet njeriut gjatë jetës.


Prej lëndës së autorit Karel Çapek, Gjergj Prevazi krijon një tekst koreografik të quajtur "Koha që bjerr" duke u marrë me kuptimin e dashurisë si diçka që e takon rastësisht," me një fjalë, është diçka e habitshme".


Në të dy shfaqjet e tij, Prevazi është i interesuar të gjejë dhe të interpretojë se kuptimin e kësaj ndjenje. Autori ia arrin nëpërmjet një ndjesie të përgjithshme, sa serioze dhe të gëzuar, por edhe ekspansive, duke i dhënë një dedikim të qartë koordinimit të lëvizjeve dhe vetë kërcimtarëve.


Atij i pëlqen t'i vendos kërcimtarët brenda kornizës skenike, jo duke formalizuar shfaqjen me kërcime të pastra që rrjedhin njëri pas tjetrit. I mbështetur në ide që rrjedhin nga një roman ose poezi, ai ndërton gjendje emocionale, që me struktura hapësinore të ndërlikuara dhe të guximshme koreografike, përcjell rreze të bardha lumturie.


Festivali i Dancit Moderne na njeh me teknika të ndryshme të kërcimit bashkëkohor dhe nëpër trajnimeve ato marrin një vlerë të çmuar edhe për artistët tanë.


Publiku gjithashtu tregoi mjaft interes, artistë, studentë të Akademisë së Arteve, ishin të pranishëm në shumë shfaqje.


Megjithatë ra në sy mungesa e koreografëve dhe kërcimtarëve që drejtojnë dhe ushtrojnë artin e kërcimit në institucionet shtetërore, po edhe e mungesa e medias. Ishte rasti për të shkëmbyer përvojën në mes krijuesve vendas dhe atyre të huaj.


Trembëdhjetë trupa baleti dhe dhjetëra balerinë e performues, një numër jo i vogël krijuesish, i dhanë mundësinë mjedisit artistik të hapet ndaj diskutime mbi baletin dhe kërcimin modern.


Sikur vetëm për një mbrëmje trupa e balerinëve në "Star Academy" të udhëtonte për në Durrës, nuk do të kishte gjë për të humbur.
Uroj që në të ardhmen të ketë më shumë respekt për ngjarje kulturore si këto.
Koreograf


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›