E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e Ramës në interpelancë, Berisha: Shkelje e Kushtetutës si kurrë ndonjëherë në 35 vite

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit tha sot se askush nuk është mbi Kushtetutën. Deklarata e Berishës erdhi pasi kryeministri Rama nuk i është përgjigjur interpelancës së kërkuar nga Partia Demokratike, pasi ndodhet në një vizitë në Korenë e Jugut.

Berisha tha se sot po shkelet Kushtetuta si kurrë ndonjëherë më parë në 35 vite demokraci.

“Çështja themelore që unë dua të shtroj sot këtu është Kushtetuta e vendit dhe kushtetutshmëria e seancës. Në qoftë se për të tetën apo të dhjetën herë shkelet në Parlament neni 80 i Kushtetutës, i cili detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë kur deputetët e kërkojnë për interesat e qytetarëve, dhe ai nuk vjen, e vërteta është se Parlamenti del jashtë kushteve të rendit kushtetues dhe të respektimit të Kushtetutës. Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite”, tha Berisha.

Sipas tij, “kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga veprat e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve për krimet e rënda, për problemet madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë shqiptarët rrokullisen çdo muaj e më shumë në varfëri. Ai fluturon në dy vite, 23 milionë euro fluturime me avion-taksi. Tani u rikthye prapë. Mediet informojnë se në udhëtimin e fundit avioni kushton 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se askush nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën në Parlament.

“Ne deklarojmë këtu solemnisht se jemi opozitë dhe nuk do të pranojmë, të jemi shumë të qartë, që në këtë Parlament asnjëri të qëndrojë mbi Kushtetutën. Pse nuk vjen? Sepse mali i fakteve dhe dokumenteve e gropos atë. Sepse ai vetë është kreu i sistemit korruptiv dhe aferat e tij korruptive nuk lejohen të hetohen.

Ku është djegësi i Tiranës, 130 milionë euro? Ku është?

Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza, 120 milionë dollarë kredi japoneze? Ku janë?

Ku janë qindra milionë euro të tjera të shpenzuara në rrugë? Ku janë 240 milionë euro të 100 fshatrave turistike?

Dhe pastaj thotë ministrja Belinda Balluku se s’po flisni ju. Po çfarë të mos flasim ne?

Projektin e ‘100 fshatrave’ e sollët këtu, do ta përfundonit në tre vite, ia shtytë dhe tre vite, dhe tani e shtyni edhe pesë vite të tjera, sepse aty s’ka njerëz.

Çdo gjë e keni bërë vetëm për të vjedhur! Shkoni në Shetaj, shkoni në Tragjas. Çfarë keni bërë? I gjeni, ujë s’kanë. Asnjë nga pikat që ishin parashikuar në projekt për t’u investuar nuk është realizuar. E vetmja gjë që keni bërë, po ua merrni ujin, po i përzini dhe aty nuk ka fshatarë”, tha Berisha.

“Shikoni treguesin e investimeve, realizimin. Më i ulëti, ndër më të ulëtit në botë. Ku shkojnë? Të tjerat vidhen. Të tjerat vidhen. Do të thotë që në 15 projekte vetëm një realizohet. Nuk ka tregues investimesh, absolutisht nuk ngjan me asnjë vend tjetër, përveç Haitit, me tregues të tillë të realizimit të investimeve.

Ku shkojnë? Vidhen! Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›