E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Magyar në Vjenë për forcimin e marrëdhënieve austro-hungareze

VJENË, 21 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar zhvilloi sot një vizitë në Austri, në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet dypalëshe, në kuadër të turit të tij të parë në vendet fqinje, pas marrjes së detyrës më 9 maj.

Magyar mbërriti në Vjenë me ftesë të kancelarit austriak Christian Stocker, i Partisë Popullore Austriake (ÖVP), pas ndalesës së parë në Poloni, që shënoi edhe vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit si kryeministër.

Të dy liderët shprehën dëshirën për t’i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve tradicionale mes Austrisë dhe Hungarisë.

Magyar deklaroi se një mbledhje e përbashkët qeveritare, e planifikuar të mbahet në Hungari në muajin shtator, do të ishte një sinjal i qartë në këtë drejtim.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Vjenës dhe Budapestit mbeten të tensionuara për shkak të një mosmarrëveshjeje mjedisore.

Për dekada me radhë, guroret në anën austriake të kufirit kanë nxjerrë materiale që përmbajnë azbest të dëmshëm, të cilat janë përdorur në rajon.

Sipas Magyar, mijëra familje hungareze janë prekur nga kjo çështje, ndërsa kërkoi që Austria të paguajë kompensime.

Në konferencën për shtyp në Vjenë, kryeministri hungarez Magyar, dha edhe mesazhe kundër populizmit dhe ekstremizmit, duke theksuar rëndësinë e afrimit të politikës me qytetarët.

“Është shumë e thjeshtë, politika duhet të jetë për njerëzit. Postimet në Facebook dhe konferencat për shtyp nuk mjaftojnë. Duhet të dalësh mes njerëzve”, tha ai.

Partia e tij e qendrës së djathtë, “Tisza”, fitoi shumicën prej dy të tretash në zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të Viktor Orban.

Kryeministri i ri ka premtuar një ndryshim rrënjësor nga qeverisja e mëparshme e Orban, të cilën e akuzon për dobësimin e shtetit ligjor në Hungari. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›