PS-PD, pikat e konsensusit për Rregulloren e re të Kuvendit

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi sot draftin me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke i hapur rrugë kalimit të tij për votim në seancë plenare.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur konsensus për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Marrëveshja u arrit dje dhe përfshin ndryshime në disa pika të kundërshtuara nga opozita.
Ndër të tjera palët kanë rënë dakord që seancat parlamentare të mbyllen në orën 22:00, ndërsa numri i komisioneve parlamentare do të mbetet 11.
Një nga debatet kryesore ishte raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvend. Socialistët kishin propozuar që raportimet të bëheshin vetëm në komisione, por pas negociatave u vendos që në seancë plenare të raportojnë vetëm institucionet që e kanë këtë detyrim të përcaktuar në Kushtetutë.
Sipas marrëveshjes, në Kuvend do të raportojnë Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e KLP-së dhe KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kreu i KLSH-së, ndërsa institucione si SPAK-u nuk do të raportojnë në sallën plenare.
/m.m/a.f/r.e/