E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e energjisë elektrike, krerët vendorë: Situata kritike

TIRANË- Mungesa e furnizimit normal me energji elektrike në bregdetin jonian rrezikon seriozisht turizmin në ato plazhe që njihen si perla të bukurisë natyrore dhe turistike shqiptare.

Alarmi është dhënë sot nga drejtuesit vendorë të Bashkisë Himarë dhe Komunës së Ksamilit, të cilët kanë derdhur një lumë ankesash në adresë të kompanise CEZ shpërndarje.

Në seancën dëgjimore të thirrur me kërkesë të Avokatit të Popullit përfaqësues të njësive vendore Bashkia Himarë, si dhe nga Komunat Ksamil, Ana e Malit, Martanesh dhe Fushë Kuqe kanë bërë prezente situatën e vështirë që po kalojnë mijra familje shqiptare që nuk furnizohen normalisht prej vitesh me energji nga CEZ-i edhe pse kanë një kontratë të lidhur dhe paguajnë rregullisht faturat. Sipas vendorëve CEZ në gjithë këto vite nuk ka investuar thuajse aspak në rinovimin e linjave elektrike tashmë të amortizuara.

Përballë këtij ballafaqimi kanë reaguar edhe përfaqësues të kompanise ceke CEZ, të cilët ia kanë faturuar fajin vjedhjeve të mëdha që raportohen në linja dhe transformatorë në të gjithë zonën.

Po sipas tyre kompania CEZ ka nisur remontin në këtë pjesë të territorit, i cili i paraprin nisjes së sezonit turistik e që përfundon para datës 15 maj.

Të ftuar në takim specialistë të ERE kanë kërkuar nga CEZ të ndërmarrë investime madhore për ndërtimin e të paktën dy nënstacioneve përgjatë rivierës pasi linjat elektrike të ngritura nga elektrifikimi i vendit nuk i përgjigjen më ritmeve të zhvillimit ekonomik dhe lëvizjeve të mëdha demografike.
(el.me/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›