E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e tetë

Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Gjykata e Qarkut në Prishtinë, as të hënën nuk e ka zhvilluar seancën e paraparë për shkak se ka munguar jo vetëm i akuzuari Albin Kurti, por prezent nuk ishte as avokati Musa Dragusha, i caktuar sipas detyrës zyrtare nga misioni i EULEX-it.

Para trupit gjykues, ka folur prokurori i çështjes, Ali Rexha, i cili ka hequr dorë për njërën prej akuzave të aktakuzës, pikën 3 – e cila flet për thirrje për rezistencë.

Prokurori kërkoi nga paneli gjykues që të shtyhet sërish seanca gjyqësore.

Kryetari i trupit gjykues të EULEX-it, Ferdinando de Mongota është detyruar të shtyjë sërish seancën gjyqësore, por tash me një dozë të lartë nervozizmi. Ai kësaj here nuk kurseu fyerje as për Policinë e Kosovës, të cilën e quajti të paaftë, sepse ende nuk ka arritur ta arrestojë Albin Kurtin. Gjyqtari ndërkombëtar edhe një herë kërkoi që të merren masa, në mënyrë që të sigurohet prania e të pandehurit për seancën e ardhshme.

Pas seancës, aktivisti Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kundërshtuar gjyqtarin Mongota. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk mendon që Policia e Kosovës është e paaftë, por ajo nuk e ka vullnetin që ta arrestojë Albin Kurtin. Ai gjithashtu mirëpriti hedhjen poshtë të njërës prej akuzave, me të cilën ngarkohet Albin Kurti.

“E inkurajojmë prokurorin Ali Rexha, ashtu siç i kemi bërë thirrje edhe më herët që ta hedhë poshtë të gjithë akuzën“, tha Konjufca.

Megjithatë, zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, ka thënë para gazetarëve se gjykatësit do të lëshojnë edhe një urdhër arresti për të akuzuarin, në mënyrë që të sillet në gjykim. E pyetur nga gazetarët, nëse policia është treguar e paaftë lidhur me arrestimin e Albin Kurtit, ajo në njëfarë mënyrë e pohon këtë. “Vetë fakti që për tri herë paneli gjykues ka lëshuar vendim që të arrestojë Kurtin dhe Policia e Kosovës nuk e ka ekzekutuar këtë, kjo flet mjaft”, ka thënë Herodes.

Edhe përfaqësuesit e Balli Kombëtar, dega në Gjilan ka kërkuar të hënën nga EULEX-i që nëse dëshiron ta vërë drejtësinë në vend, duhet ta lërë rehat liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe të merret me policët rumunë që janë vrasësit e dy të rinjve shqiptarë, në demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007.

“Nëse EULEX-i dëshiron për të vënë drejtësinë në vend, atëherë duhet arrestuar policët rumunë që bënë vrasjen e këtyre dy të rinjve shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë“, thuhet në letrën e Ballit Kombëtar.

Me kërkesë të prokurorit, trupi gjykues ka shtyrë seancën gjyqësore për 28 prill, në mënyrë që të plotësohen kushtet optimale për zhvillimin e seancës gjyqësore ndaj çështjes së Albin Kurtit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›