E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë fondet, lihet përgjysmë rruga e doganës

ELBASAN/ Bashkia: Punimet, të ndërprera nga moslëvrimi i pjesës tjetër të fondeve nga buxheti i shtetit


ELBASAN - Një ndër segmentet më të rëndësishme dhe më problematike për qytetarët e Elbasanit, rruga e Doganës, në lagjen "28 Nëntori" prej dy muajsh është lënë pezull për shkak të mungesës së fondeve.


Ankesa vjen nga bashkia e cila ka në administrim rrugët dhe qarkullimin për këtë vonesë që tashmë i ka kaluar të gjitha kufijtë. Kështu, firma sipërmarrëse ka mundur të tërheqë paratë vetëm për fazën e parë që ka qenë vetëm nivelimi i rrugës, ndërsa për fazat e tjera nuk ka pasur asnjë lëvrim fondi dhe për pasojë firma ka ndërprerë punimet.


Qytetarët elbasanas janë të njohur me gropat, tymin dhe problemet që hasin teksa kalojnë nga ky segment mjaft i rëndësishëm dhe që i jep një frymëmarrje të madhe qarkullimit në qytet. Nga të dhënat mbi punimet mësohet se tenderi për këtë segment është fituar me 30 milionë lekë nga të cilat janë lëvruar vetëm 6 milionë. Çdo ditë aty kalojnë mjetet që zhdoganohen në doganën e Elbasanit dhe qytetarë elbasanas. Ankesat janë të shumta dhe të gjithëllojshme.


Pluhuri ka asfiksuar edhe bizneset anës rrugës. Rruga as nuk laget duke e bërë këtë pjesë të qytetit një ferr të vërtetë për banorët, mjetet dhe kalimtarët. Pas pak ditësh fillon edhe shkolla. Përgjatë kësaj rruge, ndodhen dy të tilla të nivelit profesional. Lënia përgjysmë e rrugës do të kthehet në një shqetësim më vete edhe për zhvillimin e mësimit.


Aktualisht përfaqësues të firmës ngrenë supet kur bëhet fjalë për lëvrimin e fondeve dhe vazhdimin e investimit. Situata vazhdon e tillë qysh pas zgjedhjeve dhe, sipas zërave të ndryshëm, kjo ka lidhje pikërisht me zbrazjen e arkës së shtetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›