Njerëz të pakënaqun
(Terroda)
Jam në odë. Asht terr. Ba me e pa hollë asht një terrodë. Në rrugë ka shumë njerëz. Shpesh shumica prej tyne janë njerëz të pakënaqun. E nuk ka gja ma të zorshme se me ecë përbri me kësisoj njerëzish. Të marrin me vedi dhe mbas katërdhjetë metrash e sheh se edhe ti je kthye kadalë në njeri të pakënaqun.
Asht shumë zor me kuptue se si pakënaqsia të njitet fillimisht ndër kundra e mandej hyp si dreqi e ndalet parasysh, tuj mos të lanë kësisoj me pa kurrgja ashtu si asht, a si do të kishe dashtë me kenë. Fillimisht bahet fjalë thjesht për pakënaqsi, por ma vonë pakepak, pakënaqsia kthehet në inat, inati kadalë në cmirë e cmira mbërrin në urrejtje.
Dhe unë e urrej gjithë këtë, urrej masparit urrejtjen teme. Ulem e mendoj se si me e luftue urrejtjen, ndërkohë që pakënaqsia, inati dhe cmira grryejnë forcat e mia dhe mendimi asht shumë i vorfën për me ia dalë përmbi. Por më ka ndodhë shpesh, që tuj iu vjedhë mendimit kam arritë me gjetë zgjidhje të shkëlqyeshme.
Tuj mos pasë rrugë tjetër, rri mbyllun dhe nuk mendoj asgja. Derikur para meje shfaqet edhe një herë mrekullueshëm terroda. E marr dhe e vari në qafë. Dal në rrugë i maskuem si fotograf. Njerëzit e pakënaqun kanë alergji prej fotografëve.
Ndoshta ka të bajë me faktin se askush prej të paknaqunve nuk don me u fiksue në terrodë. Të pakënaqunit e dinë ma mirë se kushdo se pakënaqsia asht e pakandshme. Kështu një herë për një herë kam arritë me ia dalë matanë e me shpëtue prej kërcënimit serioz të pakënaqsisë që ka kacafytë qytetin.
E pame me synin e fotografit, turma e madhe dhe e paorganizueme e njerëzve të pakënaqun duket e hatashme. Më qan syni me e futë edhe një herë mbrenda tyne e me u ndie plot me energji, plot me mllef pa të cilin me thanë të drejtën gjanat s'kishin me ndryshue kurrë.
Pothuej të gjitha ndryshimet që kanë ardhë në kët botë u detyrohen njerëzve të pakënaqun për kët nuk kam pikë dyshimi, por sekush ka të drejtë mos me marrë pjesë në falangën e egërsueme të njerëzve të pakënaqun, edhepse.
Nuk duhet me çuditë kurrkush ba me marrë vesht se pothuej të tanë njerëzit në qytet janë njerëz të pakënaqun, vetëm të dashunuemit munden me u lanë jashtë, sigurisht edhe na fotografët. Don Zoti nuk organizohen ndoj ditë, të tanë këta njerëz të pakënaqun, se ka me u ba nami.
Dhe nuk ka revolucion që i përgjet lëvizjes së njerëzve të pakënaqun, ata munden me shkatërrue pothuej çdo gja që asht krijue deri më sot. Ka ndodhë, që një pjesë e njerëzve të pakënaqun janë organizue dhe damet seriozisht kanë kenë të mëdhaja. Kështu mënyra e vetme që kjo mos me ndodhë, kishte me kenë me fillue e me i kënaqë këto njerëz sadopak.
Kajherë më shkon në mend me e lanë terrodën dhe me iu vue në krye kësaj turme të shpërndame pak prej diellit e pak prej harresës së përbindshme që ndodh në mendjet e njerëzve të pakënaqun.
Dhe një gëzim i marrë më njitet në fytyrë dhe jam gati me ia falë ndokujt terrodën e me u hedhë sipër në turmë, e me dalë në krye jo se jam ma i pakënaquni ndër ta, porse jam i kënaqun deri në pakënaqsi.
E pra fjalimi i parë që duhet me iu mbajtë njerëzve të pakënaqun asht fjalimi që ban fjalë për kënaqsinë, për hiret e saj, për delikatesën dhe elegancën e rehatisë dhe të ekuilibrit të brishtë, që kënaqsia krijon në trupin e dashunuemit për shembull, për rrenën e madhe që kënaqsia arrin me na e futë aty ku na vetë veç guxojmë me nxjerrë ndoj gja, se si kënaqsia asht rezultat i dijes së matun dhe ndjesisë se koha asht e vetmja gja që nuk pushtohet. Ndigjoj duergërsitjet e para, mandej turma shpërthen pa kuptue asgja në thirrje të frikshme. I ftoj me heshtë.
Heshtin. I diftoj se larg, po shumë larg, ndihet një muzikë e gjallë dhe e hareshme që i fton me kënaqë pakepak. I shoh kah nuk duergërsasin ma veç si fëmijë të lumtun buzëqeshin tuj ndigjue sekush muzikën që don.
Por jo. Nuk do shkoj në krye e as nuk do të mbaj asnjë fjalim, asnjë fjalë.
Po sikur me ndodhë që ata mos e ndigjue muzikën që unë iu luta ta ndigjojnë? Atëherë çka ndodh? Po sikur unë të mos i flas hiç për atë muzikë, por kushedi përçka? Po sikur muzika mos me kenë kurrkund?
Ma mirë mos me ia falë kujt terrodën e me vazhdue punën e fotografit ose ndojherë me ra në dashni, jo aq sa me e hupë mendjen prej terrodës.
Nuk e din kurrë se çka mundet me ba një turmë njerëzish të pakënaqun nësa ti i kujton një muzikë diku larg, nuk dihet çka mundesh ti me i thanë një turme me këso njerëzish, e as kurrëprapë nuk dihet nëse muzika ka me kenë atje ku duhet!
Tash për tash derisa nuk i din të tana këto, terroda ku këto fjalime të thanuna a të ndime nuk i bajnë dam kurrkujt, asht e përkryeme, në terrodë gjithmonë mundesh me retushue, me i ripunue, me përsosë, me i paraqitë gjanat në atë mënyrë që njerëzit e pakënaqun me u kënaqë pakefije.