E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefi që kapërceu detin

Dëshmi nga fëminia e hershme e pianistes Margarita Kristidhi për ditën e kujtesës.
Babai i saj strehoi nëntë familje hebreje. Bebi kujton Jozef Kambin që i bënte varka prej letre. Ishte një nga shumë hebrejtë që shpëtoi në Shqipëri
"Shqipëria e ka të larë ndërgjegjen për sa i takon holokaustit". Si përfundim kjo u shpall dje edhe nga ata njerëz nga të cilët priten argumentime shkencore dhe ca më shumë dokumentare mbi çështjen e strehimit të hebrejve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Berati është qyteti i parë për këtë vit që i bëri homazh "Ditës së Kujtesës", Shoas, 27 janarit. Parisi është qyteti i parë evropian ku më 27 janar në Palais du Luxembourg nëpërmjet konferencës "Shqipëria 1933-1944 - Nder i Njeriut" i jepet një jehonë ndërkombëtare kontributit shqiptar për të drejtat e njeriut në kulmin e kërcënimit nga diktatura totalitare e Adolf Hitlerit, nazizmi. Konferenca organizohet nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika dhe zotit Etienne Bommier.
Shoqata e miqësisë Shqipëri-Izrael ka zgjedhur disa familje shqiptare për të dëshmuar atë ditë në Senatin Francez se si prindërit e tyre shpëtuan hebrej gjatë pushtimit gjerman të vendit.
Kjo temë për të cilën ka 60 vjet që dëshmohet, ka një trajtim deri diku folklorik tek opinioni ynë. Folklorik është të argumentosh shpëtimin e hebrejve nga shqiptarë të motivuar prej kanunit të besës, mikpritjes, bujarisë. Nga ky nivel diskutimi dalin lajme të bujshme për kalimin e Ajnshtajnit nga Shqipëria për në Amerikë apo për "pasaportën e Ajshtajnit" duke u përpjekur të shpëtonte si shumë hebrej. "Rezulton se në trojet e shqiptarëve nuk u spiunua te gjermanët asnjë hebre, nuk u persekutua asnjë hebre, nuk u keqtrajtua apo poshtërua asnjë hebre, dhe çka është më e rëndësishme nuk u vra asnjë hebre" thotë në fjalën që do mbajë në konferencën e Parisit, prof. dr. Petrit Zorba, Kryetar i Shoqatës se Miqësisë Shqipëri Izrael. Në fjalën me titull "Kombi shqiptar-shembulli i respektimit të të drejtave të njeriut" ai shton se "Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku numri i hebrenjve në mbarim të LDB rezultonte 10 deri 15 herë më i madh se ai para fillimit të luftës." Për këtë shteti i Izraelit ka nderuar disa prej familjeve shqiptare me titullin "I nderuar ndër kombe". Për Zorbën ky qëndrim i shqiptarëve është një vlerë e madhe që nderon jo vetëm popullin shqiptar por dhe vetë Evropën dhe kjo konferencë është "shprehje e mirë e vullnetit të Evropës për të njohur dhe vlerësuar këto virtyte të larta të popullit shqiptar dhe shpresojmë se kjo do ti paraprijë veprimtarive të tjera më të spikatura në lidhje me këtë tematike kaq interesante dhe mësimdhënëse për të ardhmen dhe për të gjitha vendet."
Për historianen Nevila Nika, vitet 1943-44 janë pak të studiuara. Janë vitet e Shqipërisë së pushtuar nga nazistët dhe kjo është koha vendimtare për fatin e hebrejve në vendin tonë. Edhe një pjesë e dokumenteve që ekspozohen në Palais du Luxembourg, 100 syresh bashkë me 50 fotografi, që janë letërkëmbime të institucioneve shqiptare me ato gjermane, dëshmojnë se shpëtimi i hebrejve nuk ndodhi vetiu dhe as vetëm prej besës së shqiptarit. "Edhe gjatë pushtimit gjerman kemi investimin e qeverisë shqiptare për shpëtimin e hebrejve dhe sipas një marrëveshjeje pushtuesi nuk do të ndërhynte në punët e qeverisë shqiptare vetëm në rast sulmi. Këtë e kemi të dëshmuar në letërkëmbimet '43-'44".
Por ndryshe nga shumë deklarata që dëgjojmë me rastin e Ditës së Kujtesës, këto tri vite që kur kjo ditë njihet me ligj edhe në vendin tonë, është me rëndësi kjo që del nga goja e Nikës kur thotë se shqiptarët kanë ç'të kujtojnë në këtë ditë në vendin e tyre: Masakrat e Borovës, e Tivarit, Raçakut, Çamërinë etj. "Duket sikur në një këndvështrim i vetmi ndryshim mes shqiptarëve dhe izraelitëve është se shqiptarët ndenjën këtu dhe gjetën mënyra për të mbijetuar si për shembull, duke përqafuar fenë Islame. Megjithatë është koha që ne të kujtojmë plagët tona të historisë", përfundon Nika.
Një nga familjet që pritej të dëshmonte në Senatin Francez për mbrojtjen e hebrejve në Shqipëri do ishte dhe familja e Kristofor Kristidhit okulistit të famshëm. Por vajzat e tij nuk do të marrin pjesë. Në shtëpinë e doktor Kristidhit, në Rrugën "Hoxha Tahsin" që nga viti 1942 deri në fund të luftës janë strehuar disa familje hebrejsh. "Nëntë familje" do thoshte e bija, pianistja Margarita Kristidhi. Në librin e botuar së fundi "Shqiptarët dhe hebrejtë në shekull" i Apostol Kotanit shkruhet: Që nga viti 1942 deri në çlirimin e vendit ka strehuar dhe ndihmuar disa familje hebrejsh si Benzhamen e Mois Kollonomos vet i nëntë, ardhur nga Manastiri; Josef Kambi, ardhur nga Shkupi; Domeniko Dochoch së bashku me dy djemtë; Mois Franseviç, ish- profesor i kimisë në gjimnazin e Shkupit. Këta i ka mbajtur vetë dhe i ka ndihmuar për të lëvizur nga një bazë të tjetrën nga qyteti në fshat e anasjelltas". Margarita ishte 6 vjeç atë kohë. Na tregoi aq sa mbante mend nga ajo kohë dhe nga hebreu Jozef Kambi.
Pra, veç Jozef Kambit që kishte ardhur nga Manastiri më 1942, familja Kristidhi ka strehuar edhe nëntë familje hebreje.
Vinin, i mbanim disa kohë dhe kur ndjehej ndonjë rrezik, babai i dërgonte nëpër fshatarë, nëpër rrethinat e Tiranës. Pastaj përsëri vinin, përsëri shkonin dhe kështu bëhej një lloj rotacioni që të devijonin gjermanët. Ishte një rrezik real dhe vetë ata do thoshin që shqiptarët na shpëtuan jetën.
Çfarë mbani mend nga Jozefi
Unë kam këtë kujtim që më ka lënë mbresë aq e vogël sa isha. Shkonim në plazh, në Durrës ku kishim një shtëpi. Hebreu më bënte varka prej letre, shumë, gati njëzetë dhe në mëngjes kur deti ishte i qetë shkonim i lëshonim. Një ditë më tha se njëherë do të ikte me një nga këto varka. Kjo më ka bërë përshtypje, edhe pse nuk e kuptoja çfarë ishte dhe nga kishte ardhur ky kushëri. Kështu na thoshin për Jozefin në shtëpi, "kushëriri".
Tregohej historia e tij në shtëpinë tuaj? Si kishte ardhur aty?
Jozef Kambi kishte jetuar në Maqedoni dhe në Shqipëri, tek familja jonë, e kishte adresuar gjyshi mjek që jetonte në Manastir. Babai tregon: "E veshëm se ishte gati lakuriq, kishte fjetur nëpër stalla në fshatrat e Korçës". Vinte nga Manastiri. Tek ne ndenji për një kohë të gjatë. Më kujtohet disi edhe Miki, e mbaj mend sepse u miqësova si fëmijë, edhe ai ndenji për një kohë të gjatë. Na ka dërguar letra. Pas çlirimit letërkëmbimi ynë me këta njerëz u ndërpre. Letrat e familjes sonë nuk shkonin më. Fatkeqësisht kur lamë shtëpinë e cila u dogj, ikën dhe letrat që ruheshin në bodrum. Ishte një arkë me gjithë korrespondencat e familjes.
Megjithatë ekziston kjo fotografi që po jua jap.
Babai mori në mbrojtje edhe familje të tjera kundrejt asgjëje, kundrejt asnjë lloj shpërblimi. Ata njerëz vinin dhe luteshin, ishin familje të mëdha me nëntë vetë dhe nuk mund t'i mbaje në një bodrum të mbyllur më shumë se një javë apo një muaj, pastaj shkonin në fshat, kamufloheshin, punonin, sikur të ishin njerëzit e shtëpisë.
Ishte një situatë normale për ju strehimi i tyre?
Është e çuditshme që babai nuk e zinte në gojë si një gjë të veçantë këtë punë. Ishte e natyrshme dhe për më shumë nuk harroj mamanë time, Marian, që ishte një grua edhe e guximshme. Ajo kishte rolin kryesor sepse ajo do të bënte ushqimin dhe ishte e një mendimi me babain. Këto janë raste kur sakrifikohet sepse është një ndihmë sublime që vë në rrezik fëmijët, familjen.
Me aq sa ju kujtohet si i shtynin ditët në izolim ata njerëz?
Kishim një bodrum shumë, shumë të madh, ndoshta unë e ekzagjeroj ngaqë isha shumë e vogël dhe kishte një dritare mbrapa shtëpisë që dilje prapë në oborr dhe mund të ikje në rast kontrolli. Për të dalë jashtë as që bëhej fjalë, sepse pastaj mund të kompromentohej edhe babai im. Më kujtohet një nga këta mysafirë që rrinte në bodrum dhe në drekë hipte lart, hante dhe pastaj zbriste prapë poshtë. Mbaj mend që kur mbaronte i vendoste lugën dhe pirunin kryq. Babai kishte klinikën në shtëpi. Kishim një sallon të madh ku gjithmonë gjeje njerëz. Atyre ndofta nuk u bënte përshtypje ose ishin të gjithë të mirë dhe nuk jemi spiunuar ndonjëherë për këtë që ndodhte në familjen tonë.
Pas Çlirimit çfarë ndodhi?
As u fol kurrë më për hebrejtë. Tani po i venë rëndësi. Fatkeqësisht as motra, as unë nuk u interesuam dhe nuk arritëm të kemi kontakt të paktën me fëmijët e tyre. Jozef Kambi do të martohej më pas. Edhe në Jeruzalem ku janë pllakat me emrat e familjeve që kanë shpëtuar hebrej dhe ku ka edhe shumë familje shqiptare, emrat e prindërve të mi nuk janë, për shkak të humbjes së këtij komunikimi.
Megjithatë shpëtimi nuk ndodhi vetëm prej bujarisë dhe besës së shqiptarëve?
Nuk ishte kaq akute gjendja e atyre sa të themi në Francë apo në Itali ku vërtet u kapën shumë dhe u dërguan në kampet e përqendrimit. Ndoshta këtu ishte dhe koha më e shpejtë. Megjithatë disa thonë se hebrejtë në Shqipëri ishin shumë në rrezik. Kam dëgjuar se ka pasur prej tyre që janë endur nëpër fshatra të ndryshëm. Kjo do të thotë se kishin frikë. Këtë e them për shqiptarët hebrej sepse kishte dhe të tjerë të ardhur që e dinin se Shqipëria ishte një vend i sigurtë. Fatkeqësisht deri vonë Shqipërisë nuk ia kanë njohur këtë kontribut. Tani po bëhet kjo gjë, me krijimin e shoqatës Shqipëri-Izrael ka ndryshuar pak opinioni.
Keni njohur më vonë hebrej në Shqipëri.
Shok të ngushtë kam pasur Robert Shvarcin, shoqe të ngushtë kam pasur Agi Vrionin (e shoqa e Jusuf Vrionit) që të dy nuk janë krejt hebrej. As që e mendonim që mund të jenë ndryshe sepse janë hebrej. Ne nuk i kemi pasur këto paragjykime as për racat, as për fetë. Megjithatë qarkullonte ajo përshtypja se çfarë janë hebrej janë të mençur prej natyre. Është një popull me një forcë shumë të madhe. E pashë tani kur shkova për herë të parë në Izrael. Të shohësh që njerëzit kanë mbjellë 2 milionë pemë, që të bëjnë një pyll kur 60% e vendit është shkretëtirë, dhe të gjithë marrin ujë nga një liqen dhe kanë krijuar çdo gjë me dorën e tyre, kjo ishte mbresëlënëse për mua.
Kujtimi për "kushëririn Jozef" do t'ju nxitte ndonjë kuriozitet të veçantë?
Kur ishim me shërbim diplomatik në Pragë, në Terezin kemi takuar njerëz që kishin mbijetuar nga Holokausti. Na interesonte të dëgjonim historitë e njerëzve, tregimet e personave të veçantë. Më kujtohet që edhe unë thashë diçka. Atëkohë Shvarci ishte në Gjermani i sëmurë dhe unë i telefonova. Sapo ishte operuar. Më thotë: Bebi, është një çudi me këta gjermanët që dëshën me më vra, tani duan doemos të shërojnë zemrën time." Me një fjalë ka ndryshuar bota evropiane në lidhje me hebrejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›