E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon vullneti

Shefja e Zyrës Administrative, Adrijana Hoxhic i ka fajësuar edhe qytetarët e Veriut se nuk po kanë vullnet të integrohen në institucionet e Kosovës. Zgjidhjen e vetme, ajo e sheh te mbajtja e zgjedhjeve të lira në atë pjesë të Kosovës. Por, Sadri Ferati thotë se së pari duhet të shpërbehen strukturat ilegale serbe dhe pastaj të fillojë normalizimi.

Pavarësisht synimeve të autoriteteve në Prishtinë për të integruar pjesën veriore të Kosovës në atë jugore, serbëve lokalë të asaj pjese duket se u mungon ende vullneti për diçka të tillë. Shqetësim për këtë të dielën ka shfaqur edhe Shefja e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq.

Duke komentuar djegien e veturës së nëpunësit serb të Zyrës Administrative, Hoxhic ka thënë se zgjidhja e problemeve do të ishte mbajtja e zgjedhjeve legale në Veri të Kosovës.

Por, sipas saj, mbajtja e zgjedhjeve të lira është e vështirë për shkak të mungesës së vullnetit të qytetarëve atje për t’u integruar në institucionet e Kosovës.

“Mbajtjes së zgjedhjeve të lira në zonat në Veri të Kosovës do t’u hapej rruga vetëm me shtimin e vullnetit të serbëve për zhvillimin e këtij procesi dhe me rritjen e numrit të partive politike serbe të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”. Pos sipas saj, gatishmëria e serbëve të Veriut për të mbajtur zgjedhje do të nënkuptonte mbylljen e Zyrës Administrative në Veri.

“Themelimi i Komunës së re të Mitrovicës Veriore do të nënkuptonte mbylljen e Zyrës Administrative në Veri”, ka thënë Hoxhic.

Deri më 10 shtator, kur u përmbyll mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, i ngarkuar me përgatitjen e terrenit për mbajtjen e zgjedhjeve, me të cilat do të krijohej Komuna e re e Mitrovicës Veriore ishte Ekipi Përgatitor për Decentralizim, i mandatuar nga ekzekutivi kosovar dhe Zyra Civile Ndërkombëtare. Pas shuarjes së këtij ekipi janë shtuar zërat për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për Veriun në kuadër të një dialogu më politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Ish-Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati vlerësoi se parakusht për zbatimin e decentralizimit në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, do të jetë sundimi i ligjit dhe zhbërja e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Ai e quajti të dëmshme hyrjen në pazare politike për Veriun me qeverinë serbe, por vuri në pah rëndësinë që Serbisë t’i kërkohet ndërprerja e destabilizimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Beogradi duhet ta dijë se po interferon, po destabilizon dhe se ka pasoja në terren për shkak të asaj sjelljeje. E para, duhet të ketë një presion më të madh ndërkombëtar, ndërsa e dyta duhet që strukturat e sigurisë dhe ata që po stimulojnë këtë gjendje, të mos mbesin pa konsekuenca. Duhet të veprojë ligji në atë pjesë”, u shpreh Ferati.

Ndryshe, Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh, për shkak të kundërshtimit të banorëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës. Në javën e kaluar, si pasojë e një sulmi të armatosur ndaj një veture të Policisë së Kosovës dhe një të misionit europian për sundimin e ligjit- EULEX, ishte lënduar një pjesëtare e Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›