E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi po varfërohet, udhëheqësit po pasurohen

Shtrenjtimi i kostos së jetës, rritja e papunësisë dhe varfërisë, kanë mbetur nën hijen e festimeve dhe spekulimeve për koalicion të ri. Rritja e varfërisë, shtrenjtimi i kostos dhe rritja e papunësisë, konfirmojnë se Qeveria Thaçi ka devijuar plotësisht nga agjenda zhvillimore e vendit.

Ceremonia e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, u mbulua me fjalime të mëdha, që thurnin lavde për rolin e udhëheqësve të institucioneve në pavarësinë e vendit, por që nuk adresonin problemet zhvillimore të vendit. Kështu thuhet në një komunikatë për media, të ekspertëve të LDK-së.

Sipas tyre gjatë këtij muaji, gjepi i kosovarëve u varfëruar për 3.1 për qind, për shkak të inflacionit sidomos në artikujt bazik si: perimet (9.4%), rryma elektrike (8.9%), qumështi dhe vezët (2.4%). Në fillim të vitit shkollor, familjet po përballen me 19.5% rritje të çmimit të librave dhe materialeve shkollore. Rreth gjysmë milioni nxënës dhe studentë po paguajnë më shtrenjtë për arsimimin e tyre.

Në komunikatë po ashtu thuhet se pas shtrenjtimit të rrymës me rreth 8 për qind para disa muajsh, kanë filluar negociatat për një rritje tjetër dhe se kjo rritje po shkaktohet drejtpërdrejt nga Qeveria Thaçi, si rezultat i rritjes së çmimit të tantiemës për thëngjill nga 0.23 euro, në 3 euro.

“Rritja e kostos së jetës, po e varfëron më tutje tryezën e rreth 34 mijë familjeve, që përfitojnë ndihmë sociale, e cila nuk i mbulon as nevojat elementare. Me rreth 70 euro në muaj, nuk mund të blihen mallrat elementare për jetesë. Fëmijët nga këto familje, nuk marrin kujdesin bazik shëndetësor dhe nuk mund të arsimohen, pasi nuk mund të blejnë materialet shkollore me 19 për qind rritje të çmimit. Si rezultat, këta fëmijë do të mbesin pa arsim dhe të varfër edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Numri i të papunëve të regjistruar, sipas ekspertëve të LDK-së arrin në 336 mijë persona, shumica të varfër dhe të varur nga asistenca sociale. Ndërsa Qeveria Thaçi, sipas tyre nuk bënë përpjekje as për ta matur papunësinë, pasi anketa e tregut të punës nuk është financuar nga vitit 2010 e këndej. Qeveria Thaçi po ashtu sipas tyre, u kujdes që me ligjin për regjistrimin e të papunëve, i cili i aprovua para tre muajve, të mos ju njeh statusin e të papunit personave të moshës 16-18 vjeç dhe se kjo praktikë, është në kundërshtim me praktikat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

LDK vlerëson se vendit i duhet një qeveri më kompetente dhe përgjegjëse për brengat e qytetarëve.Po ashtu sipas LDK-së, me këtë qeveri, vendi do të varfërohet më shumë, në ndërkohë që udhëheqësit e institucioneve po pasurohen më shumë. Në komunikatë, thuhet se programi qeverisës i LDK-së, si parti e qendrës së djathtë, ofron zgjidhje për nxjerrjen e njerëzve nga varfëria./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›