Mur policësh te grevistët (VIDEO)
Pas djegies me benzine të grevistit të dytë, Lirak Bejko, policia monitoron dhe kontrollon edhe çdo pije që hyn në ambientet e grevës, erën dhe ngjyrën. Pasi edhe ne kaluam kontrollin e policisë, grevistët i gjetëm më të paktë në numër pasi tre prej tyre ndodhen në spital ndërsa Perikli Shqevi në arrest shtëpie, raporton Vizion Plus.
Të irrituar nga deklarata më e fundit e kryeministrit, ish- të përndjekurit u shpreh se nuk do të ndërpresin grevën pa u plotësuar kushtet e tyre ekonomike. Rreth mesditës, grevisti Agim Kollçaku, i djegur një ditë më parë gjatë përpjekjeve për të shuar trupin e Lirak Bejkos, ka lënë spitalin dhe këmbëngulte për të rihyrë në grevë.
Pas kundërshtive të shumta të policisë, ai ka mundur të rikthehet në ambientet e ngujimit. Grevistët, tashmë të monitoruar non stop nga policia, janë mbështetur me protesta e tubime nga ish- të përndjekur të tjerë. Para ambienteve të grevës ata kërkuan përkrahjen e qytetareve me frikën e largimit nga policia të të ngujuarve.
Ndërkohë Lirak Bejko, grevisti që u vetëdogj një ditë më parë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, pa e kapërcyer rrezikun për jetën. Mjekët deklaruan se plagët e shumta që ka marrë nga djegia kanë dëmtuar rëndë grevistin.
Ndërsa i vetëdjeguri tjetër Gjergj Ndreca është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë pacienti po mbahet ende në reanimacion pasi mjekët thonë se është në gjendje të rënduar psikologjike.
