Tiranë, inspektori i krimeve rreh policen rrugore, i kërkoi dokumentet e makinës me targa të huaja
Tashmë është fakt që shumë policë mbajnë makina pa dokumentacionin e rregullt, duke përfituar nga fakti se janë gardianë të ligjit.
Por kur një police e qarkullimit rrugor, tentoi të zbatojë ligjin me një inspektor policie, hëngri fyerje, sharje, madje edhe një pëllëmbë në fytyrë.
Ngjarja e turpshme ndodhi tek Rruga e Elbasanit.
Policja rrugore Arta SH. ndaloi një makinë me targa të huaja, të cilën e drejtonte inspektori i krimeve në komisariatin 4, Sami Gjyla. Siç raporton Panorama, policja i ka kërkuar atij dokumentet, por ai i ka thënë se jemi kolegë. Policja ka insistuar të zbatojë ligjin dhe pikërisht në këtë moment ka nisur sulmi ndaj saj me të shara, fyerje e më pas edhe një goditje me pëllëmbë.
Mësohet se për këtë veprim ka nisur edhe procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Gjylës. Po ashtu ka nisur edhe një procedim disiplinor.