E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Liga, titulli më i bukur i karrierës

MADRID - Ka fituar të gjithë ka mpionatet ku ka drejtuar, detyroi alienët e Barcelonës të provonin shijen e hidhur të humbjes dhe nuk ndaloi kurrë së bëri të tjerët të flasin për vete. Për Zhoze Murinjon, që sapo ka fituar titullin e tij të shtatë si trajner, është kohë bilancesh pas një sezoni me Realin e Madridit, në të cilin i mungoi vetëm kualifikimi në finale të Champions League.

 “Të gjithë titujt janë të bukur, por La Liga ishte më e vështira nga shtatë kampionatet që kam fituar, - deklaroi trajneri i Realit në një intervistë për të përditshmen portugeze “Record”. – Kam fituar titullin me Interin në javën e fundit, por ky ishte natyrisht më i vështirë, sepse kishim përballë një kundërshtar, që konsiderohet nga të gjithë si më i miri në botë në vitet e fundit”. 
Murinjo pranon se asgjë nuk ka qenë e lehtë, në një kampionat ku luajnë dy skuadrat më të mira të botës. “Kemi qenë nën presion përgjatë gjithë turneut, - thotë ai. – E dinim se mjaftonte të barazonim një ndeshje për të humbur pikë. Ishte një luftë titanike mes dy skuadrave më të mira të botës. Ishte titulli më i vështirë që kam fituar, por edhe më i drejti”, deklaroi portugezi. 

Murinjo ka folur edhe për Europianin e ardhshëm, ku pritet që protagonist të jetë Kristiano Ronaldo. “Kombëtarja portugeze dhe Reali janë dy skuadra të ndryshme. Portugalia nuk ka të njëjtën organikë si Reali i Madridit dhe nuk mund të presim që të bëjë 15 gola në këtë turne. Por, po flasim për futbollistin më të mirë të botës”, u shpreh më tej Zhoze Murinjo.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›