E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Me mua, Çelsi e fitonte Champions

Nëse Hoze Murinjo do të kishte qëndruar në stolin e Çelsit, Mançester Junajted nuk do të triumfonte në finalen e Ligës së Kampioneve. Jo sepse trajneri luzitan do të kishte arritur të bënte diçka në penalltinë e fundit, ku kapiteni Xhon Terri rrëshqiti, por sepse ndoshta sfida nuk do të kishte arritur deri te gjuajtja e 11-metërshave, ku blutë do të fitonin që prej kohës së rregullt. Drejtuesi aktual i stolit të Interit, i cili punoi me londinezët deri më 20 shtator 2007, duket i bindur dhe i bëri këto deklarata për "Neës of the Ëorld".

Champions

"Gjatë tre viteve të mia te Çelsi fituam gjithçka (dy tituj, një FA Cup dhe dy "Carling Cup"), përveç Champions-it. I kemi mposhtur skuadrat e tjera të mëdha dhe Mançester Junajted të Sër Aleks Ferguson e mundëm në finalen e FA Cup në ‘Uembli‘. Megjithatë, njerëzit kërkonin gjithmonë e më shumë. Kjo ‘më shumë‘ ishte pikërisht Champions, të cilën do ta kisha fituar me blutë", deklaroi Murinjo. "Mos harroni se dolëm dy herë në gjysmëfinale. Ishim fare pranë këtij trofeu, por papritur klubi vendosi të ndryshojë dhe gjithçka përfundoi aty. Kam kaluar tre sezone të jashtëzakonshme me atë skuadër. Kontrata ime në ‘Stemford Brixh‘ përfundonte në vitin 2011, që do të thoshte se do të punoja atje për shtatë vjet: një periudhë vërtet e gjatë, por jam krenar se krijova një lidhje që do të vazhdojë gjatë dhe nuk jam penduar për asgjë nga ato që kam bërë".

Spektator

Dje Murinjo ka qenë i pranishëm në "Olld Traford" si spektator i thjeshtë, për të ndjekur supersfidën e Junajted me Çelsin "e tij". Arsyeja për të cilën tekniku luzitan udhëtoi drejt Anglisë ishte që të shihte "live" kundërshtarët e ardhshëm të Interit në Ligën e Kampioneve: nëse në tre vjet me blutë ishte fare pranë fitimit të kupës "me veshë të mëdhenj", ai synon të arrijë te trofeu prestigjioz që prej vitit të parë në krye të zikaltërve. "Në ‘Olld Traford‘ kam përjetuar momente të lavdishme, vazhdoi ai më tej, por këtë herë u ktheva për të ndjekur në aksion Mançesterin. Vëzhgimi i tyre është prioriteti im kryesor, edhe pse nuk e mohoj se do të përfitoj nga vizita që të takoj miqtë e mi te Çelsi".

Abramoviç

Në tribunë nuk do të jetë "bosi" i Çelsit, Abramoviçi. "Marrëdhënia ime me Roman është fantastike, jemi miq dhe është kënaqësi kur mendoj se ai ka bërë të pamundurën që miqësia jonë të mos prishej, përfundoi Murinjo. Largimi im nga klubi është diçka e ndryshme nga lidhjet njerëzore. E kisha të vështirë të largohesha dhe të jetoja pa Çelsin. Ne vazhdojmë të flasim vazhdimisht, asnjëherë për futbollin, por ideja se ai ‘pret koka trajnerësh‘ është e gabuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›