Murinjo: Në dy ndeshje luajmë gjithçka
Pasi ka njoftuar se “një ditë do të drejtojë Realin e Madridit”, dhe pasi ka sulmuar De Laurentis e Mazzarri (“Më vjen të qesh kur dëgjoj disa presidentë të më krahasojnë me trajnerët e tyre, që nuk kanë fituar asnjë Kupë Toskana apo Rexhio Kalabaria”), Zhoze Murinjo ka folur edhe për Klaudio Ranierin (që e ka cilësuar “hipokrit”), dhe për Champions League.
Mister, a jeni i irrituar për atë që ka thënë për ju Klaudio Ranieri (“Minë me sahat”), para ndeshjes së fundit të Serisë A?
Mendoj dy gjëra. E para se Ranieri është treguar hipokrit. Më bën komplimente mua dhe Interit para ndeshjes me Romën, pastaj në fund të ndeshjes thotë “Minë me sahat” për mua.
çfarë mendon për të?
Që ka qenë ajo që ne në Portugali i themi kështu: hedh rërë në ajër që të tjerët të mos shohin asgjë. Ose në Itali: i hedh tym në sy. Duan të krijojnë atmosferë.
është një mënyrë për t’iu vënë në vështirësi?
Ndoshta po. Por ne jemi të qetë.
Ju dëshironit të fitonit titullin dhe Champions?
Ndoshta do të ishte më mirë të kishim fituar titullin para finales së Champions, por edhe kështu përqendrimi është i madh. Nga pikëpamja fizike, nëse do të pushonim disi, do të shkonim në Madrid në formë më të mirë. Ndërsa nga pikëpamja morale, kjo situatë nuk është negative.
Van Gal ka folur për kohën kur ishit zëvendës i tij te Barcelona. Ai ka thënë edhe se “nuk do të festonte në atë mënyrë në Kamp Nou. Cila është përgjigjja juaj?
Nuk u ndjeva keq. Sepse edhe unë nuk do të kisha bërë shumë gjëra që ka bërë ai. Si shkarkimi nga Barcelona, rikthimi dhe shkarkimi përsëri. Unë nuk do t’i kisha bërë. Një herë mjafton dhe ec përpara.
çfarë nuk ju pëlqen në Itali?
Hipokrizia e futbollit. Njerëzit vijnë tek unë, më rrahin shpatullat, më buzëqeshin dhe më thonë: “Je më i miri”. Pastaj sapo gjejnë mundësinë, më sulmojnë. E bëjnë dhe disa trajnerë.
Tani jeni me mendjen te Champions?
Nuk mund të them se nuk mendoj për finalen, vetëm se nuk mendoj shumë për të.
është ky trofe objektivi kryesor që ju ëndërronit me Interin?
Bajerni është tashmë kampion i Gjermanisë. Ne nuk jemi ende kampionë të Italisë. Kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe ky është një trofe vërtet i rëndësishëm për ne. Por nuk mund të harrohet finalja, meqë do të shkojmë në Madrid për të luajtur një ndeshje, e cila duhet luajtur dhe është veçanërisht e rëndësishme për këtë klub, sepse për gati 50 vite, Interi nuk e ka fituar Champions-in.
A mendoni se me grupin që keni, mund t’i fitoni të dyja trofetë?
Mendoj se të gjithë duhet të qëndrojnë të bashkuar tani. është e rëndësishme, kur gjendesh në momente decizive, që janë shumë të vështira. Të gjithë duhet të besojnë ata që janë përreth. Po jetojmë një moment kyç të sezonit, luajmë gjithçka në dy ndeshje.
#