E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo largohet nga Milani: Vendimi u mor me konsensus

Zyrtare Pas takimit me drejtuesit, trajneri i jep lamtumirën klubit kuqezi

Leonardo Arauzho nuk do të jetë më drejtuesi i stolit të Milanit. Lajmi është dhënë dje në Milanelo, në një konferencë për shtyp, në të cilën trajneri brazilian u paraqit së bashku me administratorin e klubit, Adriano Galiani. “Gjithçka është shumë e qartë, mbërritëm në fundin e udhëtimit. Sot (dje) në mëngjes u takova me drejtuesit e klubit dhe ndodhemi përpara jush (mediave) që t’ju komunikojmë ndarjen tonë në mënyrë konsensuale”, deklaroi 40-vjeçari. “Vendimi u mor nga të dyja palët, në mënyrë të qetë dhe të civilizuar. Rrugët tona ndahen këtu, por miqësia dhe vlerësimi reciprok do të vazhdojnë”. Leonardo, i cili ka kaluar 13 vjet në skuadrën kuqezi, fillimisht si lojtar, më pas si drejtues dhe së fundmi si teknik, nuk harroi të falënderonte klubin: “Nuk e kisha idenë se çfarë do të thoshte të ishe trajner. Përjetova një përvojë të jashtëzakonshme, megjithatë nuk e di nëse do ta përsëris në të ardhmen diçka të tillë. Me siguri mund të them se nuk do të drejtoj ndonjë skuadër në vitet në vazhdim. Vendimin se erdhi momenti që të mbyllin këtë marrëdhënie u mor së bashku. Dua vetëm të falënderoj Milanin që më dha të gjitha mundësitë për të bërë çdo gjë. Mirënjohja ime nuk ka kufij”. Natyrisht, braziliani do të jetë sot në mbrëmje në pankinë, për sfidën e fundit të kampionatit përballë Juventusit.

Pas trajnerit, për mediat e pranishme foli edhe administratori Galiani. Ai e kishte mohuar vazhdimisht largimin e Leonardos, edhe në kohën kur presidenti Berluskoni shprehej publikisht se në sezonin e ardhshëm do të emërohej një drejtues i ri i stolit (ndoshta dy: Tasoti dhe Gali). “Ndjej shumë keqardhje për këtë ndarje. E përsëris: nuk mund të flitet për njërën palë që heq dorë nga bashkëpunimi me tjetrën. Vendimi u mor së bashku”, tha numri 2 i Milanit. Më pas, komplimentet për vendin e tretë në Serinë A: “Leo arriti objektivin që kishim përcaktuar në fillim të sezonit. Pa dëmtimet e vazhdueshme të lojtarëve, me siguri që do të ishim në garën për titull. Arritëm të kualifikoheshim direkt në Champions dhe ky është një rezultat shumë i mirë. Sezonin që po mbyllet do ta cilësoja absolutisht pozitiv”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›