Murinjo bën modestin: “Jam shumë i thjeshtë”
Ndërsa Mançini ka hapur luftë ligjore Interit, presidenti Morati nuk ka humbur kohë. Ai është takuar në orët e mbrëmjes të së premte me Hoze Murinjon, teknikun e ardhshëm të zikaltërve. Takimi mes Moratit dhe teknikut luzitan është zhvilluar në Paris dhe sipas të përditshmes portugeze ‘Zhornal de Negosios’, Murinjo ka folur për tratativat e ardhme të skuadrës së tij të re.
Në këtë intervistë të tij Murinjo ka lënë të nënkuptohet se një prej blerjeve të tij të mundshme mund të jetë mesfushori anglez Frenk Lampard. Lampard është futbollisti më i mirë profesionist me të cilin kam punuar gjatë gjithë karrierës sime - është shprehur Murinjo - Mund të them se askush tjetër nuk mund të krahasohet me të”. Ndërkohe Murinjo bën një përshkrim të vetes së tij si trajner, por edhe si person. “Si trajner e konsideroj veten shumë të thjeshtë - ka vijuar më tej portugezi - do të doja që të gjithë personat me të cilët do të kem të bëj të jenë të hapur dhe të disponueshëm, sepse në fund të fundit është shumë e lehtë të punosh me mua, mjafton të më ndjekësh me vëmendje”.
FIGO- Ardhja e pritshme e Hoze Murinjos në bankinën e Interit e ka bërë të lumtur Luis Figon. “Jam i gëzuar për mbërritjen e Murinjos, - tha portugezi, - e shohë shumë mirë te Interi. Kur ndryshon një trajner, që nuk është i përdorur shoh që lindin edhe shpresat. Tani të gjithë e dinë se Murinjo do të vijë te Interi. Me fanëllën zikaltër Murinjo mund të fitojë Ligën e Kampioneve. Unë personalisht ende nuk kam folur me të”.
Mançini- Brenda pak orësh miliarderi rus Roman Abramoviç do të zgjedhë trajnerin e ri të Çelsit. Tabloidi britanik “Times” përmend përveç kandidaturave të Gus Hiddink dhe Frank Rijkaard, edhe ish-trajnerin e Interit, Roberto Mançini.
Tekniku italian duket se është në avantazh, më përpara duhet të zgjidhë problemet me Interin, që duhet të paguajë një dëmshpërblim prej 50 milionë euros për prishjen e kontratës. Zgjedhja e Mançinit në krye të Çelsit do ta evitonte pagesën e majme.
2 Qershor 2008