Del Piero: “Më mungon një Europian”
Alesandro del Piero ka fituar gjithçka gjatë karrierës së tij të gjatë, por sulmuesit 33-vjeçar i mungon në arkivin e tij, pikërisht trofeu i Kampionatit Europian. Ylli i Juventusit e ëndërron të fitojë titullin e kampionit të Europës, si shpërblim të karrierës së tij 15-vjeçare me “Zonjën e Vjetër”. 560 ndeshje dhe 241 gola flasin shumë për kampionin e Botës, i cili ishte ndër të vetmit që i qëndroi besnik Juventusit, kur skuadra torineze ra në Serinë B. Euro 2008 është dhe shansi i fundit për kampionin e madh për të qenë pjesë e “axurrëve”.
BABEL -Sulmuesi holandez Ryan Babel është i pari lojtar që i jep lamtumirën Kampionatit Europian. Sipas komunikatës së Federatës Holandeze të Futbollit, Babel pësoi një dëmtim në gju gjatë stërvitjes. Holanda ndodhet në grupin C së bashku me Francën, Italinë e Rumaninë. Ndeshje e parë për formacionin e Marko van Bastenit është ajo kundër Italisë, më 9 qershor në Bernë.
ALTINTOP - Fantazisti i Kombëtares turke, Hamit Altintop mund të jetë futbollisti i parë që do t’i japë lamtumirën finaleve Euro 2008. Legjionari 25-vjeçar i Bajernit të Munihut pati probleme me muskujt e barkut në stërvitjen e ditës së premte dhe po trajtohet nga mjeku i Bajernit, Hans-Ëilhelm Myller. Pjesëmarrja e tij në ndeshjen e parë kundër Portugalisë, më 7 qershor është në dyshim.
Altintop u rikthye pas dy muajsh rikuperimi në ndeshjen kundër Uruguajit (2-3) dhe u zvëndësua në fitoren e Turqisë, kundër Finlandës (2-0).
Lacio e re nis nga Igli Tare
Lacio e sezonit 2008-2009 nis nga Igli Tare. Dhe këtë e thotë gazeta italiane “Il Messaggero”. Sulmuesi 35-vjeçar, kontrata e të cilit përfundoi bashkë me sezonin, është kthyer në “dashurinë” e presidentit lacial, Klaudio Lotito, i cili rikonfirmoi edhe për dy sezone të tjerë ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare. Palët kanë rënë dakord, ndërkohë që Igli Tare do të posedojë së shpejti një pasaportë komunitare falë bashkëshortes së tij gjermane.
Presidenti Lotito beson shumë te eksperienca e gjatë futbollistike e ndërkombëtare e veteranit shqiptar. Tare, i cili ka luajtur për fanella të klubeve italiane e gjermane, do të shërbej si një model për të rinjtë, pasi sulmuesi me grintën e tij ka qenë frymëzim për bashkësinë bardhekaltër.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, gjeti shumë pak hapësira sezonin e kaluar në formacionin e Delio Rosit, përkundër aktivizimit të shumtë të Valon Behramit.
Tare, i cili më parë ka luajtur me Breshian e Bolonjën në Itali. Vlerësohet për karakterin e tij, që shfaqet edhe në pak minuta aktivizim. Ndërsa Behrami është i gatshëm të largohet, sulmuesi Goran Pandev shprehu besnikërinë ndaj Lacios. Maqedonasi pohoi se kishte marrë një ofertë nga Tottenham, për të zëvendësuar Berbatov, por ai kishte preferuar të qëndronte te Lacio, me të cilën ka një kontratë që skadon në fund të vitit 2010.
HIDI - Mediat qipriote shkruanin dje se portieri i Kombëtares, shqiptare Isli Hidi, mund të konsiderohet një lojtar i Alkit. Sipas portalit qipriot, go2.com.cy, ish-gardianit të Tiranës i është propozuar një kontratë 1 vjeçare me opsion shtyrje edhe për një vit. Po sipas kësaj faqeje, portieri i Krivbasit në Ukrainë, pritet të mbërrijë, më 2 ose 3 qershor për të firmosur zyrtarisht kontratën.
Rekord, Tirana ka vetëm një lojtar
Rekord. Tipik shqiptar. 23-herë kampionët e Shqipëri
së kanë në organikën e tyre zyrtarisht vetëm një lojtar: sulmuesin Daniel Xhafaj. Gjithë të tjerëve, përfshirë edhe talentin Jahmir Hyka, të kërkuar nga një duzinë skuadrash, u ka mbaruar kontrata. Klodian Duro është i pari ish-lojtar i Tiranës, i cili ka nënshkruar për një skuadër të re, Omonian e Qipros.
2 Qershor 2008