E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo drejt largimit nga Reali, tre gjysmëfinale rresht të humbura

Spanjë- Së pari, nga Barcelona dhe dy sezone rresht nga ekipe gjermane. Vjet ishte Bajerni që e nxirrte jashtë, sivjet Dortmundi. Pesë gjysmëfinale të humbura nga Murinjo në total dhe tashmë ai ka menduar të largohet. “Do të iki atje ku më duan” – ishin fjalët e teknikut portugez gjatë konferencës për shtyp menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Real Madrid – Dortmund.

Një ndeshje e fituar, por një fitore që nuk festohet, sepse madrilenët nuk arrijnë në finale. Ku do të shkojë Murinjo? Kjo është pyetja që shtrohet në Madrid dhe në shtypin botëror sportiv. Shumë flasin për Çelsin, por kurrë mos thuaj kurrë. Murinjo ka për të mbyllur edhe një finale, atë të Kupës së Mbretit. Murinjo po largohet nga Reali pas tre sezonesh, ku ka fituar 1 titull kampion, 1 kupë mbreti dhe 1 superkupë. Pak për një trajner plot ambicie si ai. Ndërkohë, ai ikën gjithë polemika, sepse pasi largoi Raulin dhe Valdanon, uli në stol një tjetër ikonë të madrilenëve, Kasijasin. Pas dështimit të fundit, tashmë pak e duan në Madrid, kështu që Murinjo po rikthehet në Angli... 

(a.h/Eduard Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›