E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e pronës, përkeqësohet gjendja e grevistëve, padisin Entin e Banesave

TIRANË-Rëndohet gjendja shëndetësore e 3 prej 10 grevistëve që prej 7 ditësh kanë hyrë në grevë urie pas ndërhyrjes së Përmbarimit që i nxorri nga banesat e tyre në rrugën "Margarita Tutulani" në kryeqytet.

Ramazan Lile dhe Islam Naze kanë pranuar mëngjesin e sotëm të marrin ndërhyrjen mjekësore, pas problemeve të shfaqura ndërkohë që ka refuzuar trajtimin grevisti Arjan Xhaferri. Pranë ambjenteve të grevës është stacionuar tashmë edhe makina e ambulancës për çdo urgjencë të mundshme shëndetësore. Mjeku që ka ndjekur nga afër ecurinë e grevistëve , Fatos Karrulli thotë për "NEWS 24" se gjendja e tyre është duke u agravuar. Pjesemarrësit në grevë shfaqin luhatje të tensionit dhe aritmi, ndërsa refuzojnë braktisjen e grevës, përmes së ciles synojnë kthimin në banesat e tyre.

Më herët ata kanë refuzuar edhe propozimin e kreut të bashkisë Lulzim Basha për mundësimin e sistemimit të menjëhershëm në banesa me qira, derisa të ketë mundësi t'i sistemojë me 3 programet për strehim: Banesat sociale, kreditë e buta ose bonusi i qerasë që ofron Bashkia e Tiranës.

Pranë grevistëve sot është gjendur dhe deputeti socialist Sajmir Tahiri. Është hera e tretë që Tahiri shkon tek grevistët duke i mbështetur në kërkesat e tyre. 

Ndërkohë që këta banorë kanë ngritur sot një padi ndaj Entit të Banesave. Sipas banorit Agron Gjebia, “Padia penale ndaj Entit të Banesave është për shkelje ligjore”. Gjebia shton se, “Enti ka vënë në lëvizje gjykatën për urdhrin e ekzekutimit”.

(d.b/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›