E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Kemi gjetur prova që implikojnë Arben Frrokun në vrasjen e komisarit Lamaj

TIRANE- Prokuroria e Tiranës bën me dije se ka mundur të gjejë prova që përfshijnë Arben Frrokun, në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Lajmi konfirmohet për News 24 nga burime të prokurorisë, sipas të cilave bëhet me dije se janë gjetur prova shkencore që implikojnë biznesmenin Frroku në vrasjen e Lamajt. “Dyshojmë për gjurmë gishtash dhe fije floku”, bëjnë me dije burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre dyshohet se prova është gjetur në makinën e vrasësve, c’ka tregon se Arben Frroku ka qënë në këtë makinë dhe i ka njohur këta persona. Dyshohet se prova mund të jetë një fije floku ose shenja gishtash.

Po sipas të njejtave burime, pritet që provat t’i nënshtrohen analizave shkencore.

Ndërkohë që Frroku i arrestuar në Selanik të Greqisë, me akuzën e vrasjes së kryekomisarit, pritet të të paraqitet para Gjykatës së Lartë në Athinë, në datën 30 maj 2013.

Arben Frroku u arrestua në 24 shkurt në një hotel në Selanik, ndërsa në 4 prill u zhvillua në Gjykatën e Selanikut seanca gjyqësore, që vendosi ekstradimin e tij, vendim që u apelua që në sallë nga pala mbrojtëse dhe çështja u dërgua për shqyrtim në gjykatën e Lartë në Athinë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›