E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo hedh hije dyshimi mbi CSKA-në

MILANO- Trajneri i Interit Zhoze Murinjo është rikthyer të flasë për gazetarët, pas heshtjes për shtyp që mban në Itali. Në prag të takimit të së mërkurës në Champions League ndaj CSKA Moskës, portugezi nuk pranoi të fliste për Balotelin, që do të jetë sërish jashtë, ndërsa hodhi hije dyshimi për doping mbi skuadrën ruse. “Dy lojtarë u gjetën pozitivë (Berezutski e Ignjasheviç), kështu që ka diçka gri tek ata, - tha Murinjo. – I pashë me Mançesterin dhe vraponin pafund, nuk dukej si fundi i sezonit”. Dy futbollistët Berezutski e Ignjasheviç dolën pozitivë me një substancë të ndaluar dhe më pas u pezulluan një ndeshje. Gjë që sipas Murinjos ngre jo pak dyshime mbi këtë skuadër. Në lidhje me Mario Balotelin, trajneri i Interit nuk pranoi të bëjë komente. “S’dua të flas për futbollistë që nuk janë të grumbulluar”, tha ai. Më pas, Murinjo tregoi hapur dëshirën e Interit për të qenë në gjysmëfinale të Champions League ku do të presë fituesin e çiftit Arsenal-Barcelona. “Interi po bën një sezon të madh në Champions, më të mirin e viteve të fundit. Kemi luajtur tetë ndeshje, 4 prej të cilave ndaj dy prej skuadrave më të forta të botës si Barcelona e çelsi dhe kemi humbur vetëm në Kamp Nou. Sfida me çelsin ishte fantastike, ndërsa me Rubinin shumë e rëndësishme. Por, kush arrin në çerekfinale dëshiron të shkojë në gjysmëfinale dhe ne do të bëjmë gjithçka për këtë objektiv. Nesër pres edhe një mbështetje të madhe nga publiku i San Siros”, u shpreh më tej tekniku zikaltër. Në lidhje me ndeshjen ndaj rusëve, Murinjo deklaroi: “Pres një ndeshje të shëmtuar ndaj një skuadre shumë të mbyllur që do të na detyrojë të luajmë shumë të kujdesshëm. Me një skuadër të tillë do të ishte më mirë që ndeshjen e parë ta luanim në Moskë”. Murinjo u shpreh gjithashtu se asgjë nuk do të vendoset në takimin e parë. “Në të tetat e finales, përveç Milan-Mançester, të gjitha ndeshjet e tjera u vendosën në kthim”, tha ai. Në lidhje me kundërshtarin në gjysmëfinale, Barcelonën ose Arsenalin, portugezi foli i qetë. “Nuk më pëlqen ky lloj shorti, sepse do të ishte më emocionuese nëse nuk e di kundërshtarin para kohe. Por, nuk e di se cila është më mirë Arsenali apo Barcelona, më shumë rëndësi ka të ecim përpara”. Në fund, një koment mbi heshtjen në kampionatin italian. “Më pëlqen heshtja, sepse më lejon të shkoj në pankinë”, përfundoi Zhoze Murinjo.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›