E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lideri i CSKA, Krasiç: S’e harroj luftën e Kosovës

MILANO- Quhet Milo Krasiç dhe është një nga talentet më premtues të kampionatit rus. Ai është një nga rreziqet më të mëdha për Interin e Murinjos në ndeshjen e së mërkurës. Por, në fakt, për një lojtar që ka përjetuar tragjedinë e Ish-Jugosllavisë, një ndeshje në “San Siro” ndaj kampionëve të Italisë nuk është aspak dramë. Ndoshta pakkush e di se Milan Krasiç është nga serbët e Mitrovicës. Ai luan prej 6 vjetësh me CSKA-në e Moskës (217 ndeshje, 31 gola), ndërsa tashmë është vetëm 25 vjeç. Sot, duke folur për “Gazzetta dello Sport” në Itali, Krasiç nuk e ka harruar luftën në Kosovë, vend nga ku është larguar që 13 vjeç, ndërsa ka përsëritur refrenin e serbëse se Kosova është Serbi. “Nuk më pëlqen të flas për këto gjëra. Unë isha i vogël atëherë, por nuk e harroj atë luftë, që ishte e tmerrshme për të gjithë, - tha Krasiç për “Gazzetta dello Sport. – Prindërit e mi banojnë ende në Mitrovicë. E di se për serbët Kosova është tokë e tyre dhe nuk do ta braktisin kurrë. Po ashtu edhe familja ime nuk dëshiron të ikë që andej dhe të lërë shtëpinë. Unë e bëra këtë kur isha 13 vjeç për të shkuar në Novi Sad, ku luajta me Vojvodinën dhe qëndrova aty 6 vjet. Pastaj, 19 vjeç kalova te CSKA. Lufta në Kosovë ishte një periudhë shumë e vështirë, e tmerrshme për të gjithë. Askush nga miqtë apo familjarët e mi nuk mbeti i vrarë a i plagosur, megjithatë ishte një tragjedi për të gjithë dhe nuk dua ta kujtoj”, ka thënë Milo Krasiç.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›