Musaj: Çdo subjekt që zapton hapësirat në dispozicion të qytetarëve do të gjobitet
Policia Bashkiake ka vijuar sot aksionin për lirimin e hapësirave publike, në një tjetër zonë të kryeqytetit. Aksioni u zhvillua në zonën pranë stadiumit Dinamo, në njësinë bashkiake nr. 5, ku hapësirat publike ishin zaptuar nga automjete me tabelë shitje, dukuri e cila bie ndesh me ligjin dhe me thirrjet e herëpashershme që Policia Bashkiake u ka drejtuar qytetarëve dhe subjekteve.
Inspektori përgjegjës për qarkullimin, në Policinë Bashkiake, z. Admir Musaj u shpreh se:
Në kuadrin e një plani masash të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, jemi sot këtu pranë stadiumit Dinamo, për të liruar këto hapësira publike të zëna nga këto makina që kanë krijuar një treg të paligjshëm. Ky aksion do vijojë gjatë gjithë kohës, deri në eliminimin e plotë të këtyre mjeteve. Jo vetëm këtu, por në çdo rrugë të Tiranës po evidentohen makina me tabelë shitje që zaptojnë hapësirat publike, parkingje që janë të nevojshëm për qytetarë të tjerë. Siç e patë edhe ju, ky vend para 10 minutash ishte i mbushur plot me makina, aktualisht nuk ka asnjë makinë, do jetë nën mbikëqyrjen tonë gjatë gjithë kohës, sot e në vazhdim, jo vetëm kjo por çdo pjesë e këtyre (le të themi) tregjeve të paligjshme apo parkimeve të zëna në çdo rrugë të Tiranës deklaroi Musaj.
Policia Bashkiake do të vijojë çdo ditë punën, për lirimin e të gjithë hapësirave publike të kryeqytetit, hapësira të cilat u përkasin qytetarëve të Tiranës dhe jo individëve apo subjekteve të veçanta. Po ashtu, subjektet të cilët shkelin ligjin dhe zaptojnë hapësirat publike do të përballen me sanksione, nga gjoba deri në konfiskim të automjeteve.