Mushkonja tigër rezidente në Tiranë, malaria, 13 raste brenda dy vjetësh
Bashkitë dhe komunat nuk i përdorin fondet për dezinfektim. ISHP: Procesi realizohet pjesërisht
Lorina Mixha
Një vit më parë, pushuesit e turistët e zonave bregdetare janë shqetësuar nga vektorët, mushkonjat, si dhe legjendat e historitë e merimangës së zezë, mushkonjës tigër e gjithfarëlloj pikuesish të tjerë. Këtë vit në rast se pushteti vendor nuk do të marrë masat të kryejë procesin e dezinfektimit në mënyrë serioze dhe ti përdorë paratë e vendosura në dispozicion për pastrim dhe higjienizim kryesisht të zonave turistike, pushuesit dhe turistët do të kenë të njëjtat ankesa. Por çka është më e rëndësishme kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në rrezikun e hapjes së vatrave të infeksionit, duke sjellë probleme për popullatën, si dhe vizitorët. Instituti i Shëndetit Publik ka organizuar dje një takim mes ekspertësh, me të gjithë drejtuesit e drejtorive të shëndetit publik në vend. Sipas studimeve të fundit të ISHP-së rezulton se mushkonja tigër është evidentuar, e stabilizuar në Tiranë, në zonat urbane, ndërkohë që statistikat e përgjithshme lidhur me sëmundjen e malaries referojnë se kemi 13 raste brenda 2 vjetësh, të gjitha këto të importuara nga jashtë.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë identifikuar mushkonjën anafele, që transmeton malarien, në qytetet e Vlorës e Fierit, si dhe në fshatin Çekrez të Tiranës.
Merimanga e zezë, antidodat për të gjitha pickimet do të jenë të pranishme edhe në spitalet e rretheve dhe jo vetëm në spitalin e Tiranës. Kjo për të mos vonuar në kohë për të gjitha rastet e emergjencave. Ekspertët e shëndetit publik kërkojnë nga komunat dhe bashkitë të realizojnë dezinfektimet e nevojshme brenda afatit të përcaktuar, për të mos përsëritur më situatat dhe përvojat e viteve të kaluara, si dhe për ti administruar paratë që vendosen në depozitën e pushtetit vendor për qëllim higjienizimi për këtë proces dhe jo të kalojnë në destinacione të tjera.
Dezinfektimi
Themi se është bërë një dezinfektim dhe dezinsektim i pjesshëm, kryesisht i zonave bregdetare. Në terren duhet ti kryejë pushteti lokal. Ka specialistë të higjienës për të kryer këto procese, pjesë e sektorëve të mirëfilltë të ngritur në pushtetin lokal me kapacitet dhe buxhet të duhur për të menaxhuar situatën, jo vetëm gjatë sezonit turistik, sqaron Eugena Tomini, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.
Vitin e kaluar mizat dhe mushkonjat u shndërruan në shqetësim serioz jo vetëm për banorët në zonat bregdetare pranë lagunave dhe kënetave, por edhe për banorët e qyteteve të tjera.
Ndërkohë që janë bërë shqetësim i madh edhe për turistët. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik thonë se në vend numërohen 13 raste të prekur nga sëmundja e malaries, ndonëse janë raste të importuara nga jashtë.
Vetë subjektet private, bare, restorante, hotele, shtëpi private, të gjithë kanë detyrimin që të eliminojnë rezervuarë të ujërave të ndenjura, fuçi, vazo, gropa, të cilat përbëjnë një mjedis për shumëzim. Të kontaktojnë edhe kompani private, të licencuara për t’u marrë me dezinfektimin për të bërë të mundur eliminimin e larvave apo të kandrrave në formën e tyre të rritur. Një rol themelor për këtë proces ka pushteti vendor, sqaron drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.
Mushkonja tigër
Dy vjet më parë është realizuar monitorimi i mushkonjës tigër në qytetin e Tiranës ku ka rezultuar e mirëstabilizuar në të gjitha zonat urbane dhe sub-urbane me dendësi të lartë. Përfundimi është dhënë nga Instituti i Shëndetit Publik. Në raportin e ISHP-së për mushkonjën tigër referohet se: Pavarësisht se këto studime kanë qenë sporadike dhe të kufizuara për arsye të mungesës së financimeve, ato kanë treguar tendencën e përhapjes së kësaj mushkonje në të gjithë vendin.
Dendësitë e mëdha që ka arritur mushkonja tigër në shumë zona urbane të vendit tonë paraqesin një rrezik tashmë të mirënjohur të transmetimit të arboviruseve ekzotike, e lidhur kjo me rëndësinë që ka transmetimi i agjenteve patogjene prej njerëzve që vijnë nga zonat endemike. Megjithatë, masat për të ndaluar përhapjen dhe rritjen e dendësisë së Ae. albopictus kanë qenë të pakta dhe kryesisht iniciativa private.
Malaria
Vektori është prezent në zonat lagunare, në vendet ku kanë qenë këneta dhe kanalizime të hapura
Studimi
Aftësia e lartë e vektorëve për tiu përshtatur kushteve klimatike dhe mjedisore në ndryshim, ka bërë të mundur që të përhapen dhe stabilizohen në pjesën më të madhe të vendit. Rëndësi të veçantë paraqet prania e mushkonjës tigër Aedes albopictus, lloj invaziv me origjinë aziatike, që në 10-vjeçarin e fundit ka kolonizuar një numër të madh rajonesh, si rezultat i transportit pasiv të vezëve të saj në brendësi të kopertonave të gomave të përdorura.
Mushkonja tigër rezidente në Tiranë, malaria, 13 raste brenda dy vjetësh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
