"Giffoni 5" mbërrin në Durrës
Pas Shkodrës, "Giffoni Shqipëria" ka mbërritur ditën e djeshme në Durrës. Përmes videoprojektimit filma të ndryshëm, prodhime europiane do të prezantohen gjatë dy ditëve në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Nxënës të përzgjedhur nga shkollat e qytetit kanë ndjekur dy seanca projeksionesh në teatrin "Aleksandër Moisiu", ndërkohë që "Giffoni" do të vazhdojë edhe sot në Durrës. Në ceremoninë e prezantimit të edicionit të pestë të festivalit të filmit kanë qenë të pranishëm kryetari i bashkisë së qytetit, zoti Vangjush Dako dhe prefekti Klodian Pajuni. Drejtuesit e pushtetit në Durrës e kanë mirëpritur këtë sezon të ri të "Giffon"-it në vendin tonë, duke vlerësuar rëndësinë që ka për qytetin dhe brezin e ri një ngjarje kinematografike e këtyre përmasave. "Më vjen mirë që ne jemi iniciatorë që Durrësi të jetë një etapë e "Giffon"-it. Është shumë e rëndësishme që për një qytet si i yni, që nuk ka kinema, por që kërkon ta ketë atë, të gjithë qytetarët të kenë mundësi të shohin filma, të gjykojnë e të diskutojnë me ta. Më vjen mirë që kjo iniciativë fillon nga këta të rinj, të cilët gjatë dy ditëve të "Giffon"-it do të kenë mundësi jo vetëm të ndjekin prodhimet më të mira botërore, për moshën e tyre, por të përfshihen në diskutime që do t‘i nxisin të mendojnë", u shpreh prefekti Pojani. Bashkia e Durrësit së bashku me atë të Elbasanit janë të vetmet institucione lokale që kanë mbështetur organizimin e festivaleve në qytetet e tyre. "Falënderojmë organizatorët, të cilët të mbështetur edhe nga ne kanë zgjedhur Durrësin për të sjellë festivalin e filmit "Giffoni Shqipëria 5". Aktivitetet sociale, ekonomike dhe kulturore janë në prioritetet e bashkisë sonë dhe ndër këto aktivitetet për fëmijë kanë përparësi", ka theksuar kryetari i bashkisë, zoti Vangjush Dako. Ndërsa për presidentin e festivalit, Namik Ajazin, fakti që në prezantimin e këtij festivali kanë qenë bashkë autoritete lokale që u përkasin forcave të ndryshme politike, tregon se ky aktivitet që i adresohet fëmijëve dhe të rinjve shkon përtej politikës. Prezenca e filmit për fëmijë në vend është jo vetëm një mundësi reale për të vendosur një komunikim të munguar mes fëmijëve shqiptarë dhe kinemasë së dedikuar atyre, përcjellë mesazhe dhe kënaqësi, por edhe një thirrje për të rikthyer në skenë traditën e harruar të kineastëve tanë për realizimin e filmave për fëmijë. Prodhime kinematografike nga Spanja, Holanda, SHBA, Australia dhe Italia shfaqen në seksionet "Free to fly" dhe "Y generation", që u drejtohen përkatësisht grupmoshave 12-15 dhe 15-19 vjeç. Në fund janë po fëmijët ata që do të përzgjedhin fituesit. Pas Durrësit, "Giffoni Shqipëria" do të ndalojë në Elbasan.
va.qy
va.qy