Musineja zbulon; Naim Frashëri ka kopjuar poetin pers, Rumiu
Në vitin 1938, Musine Kokalari në tezën e saj të mbrojtur në Itali, për poetin tonë kombëtar të Rilindjes, Naim Frashëri, ka bërë një nga zbulimet më të çuditshme në letërsi: se shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian, Rumiu. Ajo e ka quajtur “kopjim”, pa bërë ndonjë koment, por duke e arsyetuar si gjendje dhe situata të njëjta ndjeshmërie. Dy kompozimet karakteristike janë: “Fyelli” (Lulet e verës) dhe “Turtullesha” (Parajsa), duke i vënë përballë me ato përgjegjëse të Rumiut (Kobla shpirtërore), (Tekst këngë), saktësisht: i pari në “Pjesë e hyrjes” dhe i dyti tek “Tregtari dhe papagalli” apo “Nevoja për t’u çliruar nga burgu i jetës”. Më poshtë po japim të plotë çfarë Musine Kokalari shkruan në tezën e saj për Naimin, duke artikuluar në mënyrë të saktë fjalën “kopjim”, pavarësisht se nuk e shpreh me tone “dramatike” këtë zbulim, por na vë në dijeni për një fenomen letrar.
Violeta Murati
Çfarë është thënë deri tani në mënyrë naive, gati glorifikuese, si krahasim, për “poetin tonë kombëtar”, ka qenë vetëm fakti se Naim Frashëri ka ngjashmëri me poezinë e poetit të famshëm pers, Rumiun, ndonëse ky poet deri më 2007 nuk është përkthyer asnjëherë i plotë, në përjashtim të përkthimit të fragmentarizuar që i ka bërë vetë Naim Frashëri. Ngjashmëria që i është veshur Naimit ka qenë një lloj gjendjeje ndjeshmërie e ngjashme, një sentiment i natyrshëm ndodhur mes dy poetëve që ishin të detyruar të jetonin larg atdheut, “të larguar nga gjërat e dashura”.
Por, asnjë studiues deri më sot nuk ka shkuar në një analizë të thelluar se nga rrjedhin këto ngjashmëri, shto këtu faktin se nuk kanë pasur edhe një lëndë të plotë poetike, të përkthyer, nga Rumiu. Por çfarë “fshihet” pas kësaj ngjashmërie që shpesh studiues e gjuhëtarë, na kthejnë tani në përshtypjen se kanë folur pa arsye të njohjes ose nga injoranca, qejfi i trashëguar nga diktatura për të glorifikuar pa argumente.
Naim Frashëri mbetet një poet kombëtar i Rilindjes. Për këtë arsye Musine Kokalari në vitin 1938 e bën tezë të temës së saj, në Universitetin e Romës.
Por, pasi ka vështruar poezinë e tij me karakter të përzier si poezi me karakter sentimental, me karakter politik, shkollor apo poezi me karakter fetar, vepra me karakter të përzier - Musine Kokalari bën “zbulimin” e saj, të çuditshëm: Naim Frashëri ka kopjuar poetin pers, Rumiun.
“Nuk mund të lë në heshtje një zbulim interesant që kam bërë, duke lexuar disa poezi të poetit të madh persian Rumi (1207-1273), të përkthyera në italisht nga profesor Italo Pizzi, e të publikuara prej tij në volumin e parë të “Historia e poezisë persiane”. Këtë e ka gjetur kur ka marrë në analizë vëllimin poetik
“Lulet e verës”, ku janë 23 poezi, të mbledhura në 83 faqe, shtypur në Bukuresht më 1890. Këtu dominojnë poezitë me karakter sentimental (12 copë) të ndjekura nga gjashtë poezi fetare e pesë me frymëzim patriotik. Duke hequr një vështrim nga vëllimi i parë, promovuar javën që shkoi, ku për herë të parë botohet teza e Musine Kokalarit për Naim Frashërin zbulohet një nga faktet më interesante në letërsi: se ngjashmëria e poezisë së Rumiut me poetin tonë Naim Frashëri nuk është një rastësi ndjeshmërish, por kopjim.
Musine Kokalari këtë fakt nuk e hiperbolizon si një zbulim plagjiature, por me elegancë dhe finesë prej studiueseje, na thotë se Naimi “ka gjetur sigurisht përputhje, jo vetëm me idealet dhe ndjeshmërinë e vet, por sidomos në të dytën, një ndërthurje me jetën e vet prej mërgimtari, prej të burgosuri – i larguar me forcë nga toka e vet e nga gjërat e tij të dashura”. Duke pasur në dorë një lëndë të plotë të poezisë së Rumiut, të siguruar nga profesori i saj në Itali, Musineja referohet për të na dhënë ndoshta një nga zbulimet më të çuditshme në letërsi: se shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian, Rumiu.
Dy kompozimet karakteristike janë “Fyelli” (Lulet e verës) dhe “Turtullesha” (Parajsa), duke i vënë përballë me ato përgjegjëse të Rumiut (Kobla shpirtërore), (Tekst këngë), saktësisht: i pari në “Pjesë e hyrjes” dhe i dyti tek “Tregtari dhe papagalli” apo “Nevoja për t’u çliruar nga burgu i jetës”.
Musineja na bind përmes analizës së saj të hollësishme, por dhe vetë ajo saktëson se ku qëndron fakti i asaj që quhet kopjim apo identik dhe më larg tezave mbi ngjashmërinë.
Shpesh është ngritur nga studiues pyetja si shpjegohet që Rumiu u vonua kaq shumë për të ardhur te lexuesit shqiptarë, kur dihet se letërsia perse ka qenë me fat, duke pasur përkthyes të tillë si F. Noli, Hafiz Ali Korça, Vehxhi Buharaja dhe së fundi nga Dhori Qiriazi. Në fakt, është thënë se i pari që u afrua me Xhelal-ed-din Rumiun në letërsinë shqipe ka qenë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, i cili përktheu (jo të plotë) poezinë e famshme të Rumiut "Kënga e fyellit". Naimi ka përshtatur për fëmijë edhe poezinë tjetër të Rumiut, "Këshillat e një zogu", që në shqip mban titullin "Zogu dhe djali". Pas Naimit ka pasur një heshtje për këtë poet, i cili është renditur me Atarin, Firdeusin, Khajamin, Hafizin, Nizamin, Saadiun etj. Rumiu është cilësuar prej përkthyesit dhe poetit Dhori Qiriazi si “Shekspiri i Lindjes”, i përkthyer në 25 gjuhë të botës. Ndërsa në një kumtesë që prof. Jorgo Bulo ka mbajtur në Teheran në 800-vjetorin e lindjes së Rumiut, “Naimi dhe Rumiu” - nuk e ka parë këtë afërsi identike mes poetëve, por e ka trajtuar si ngjashmëri ndjeshmërish. Arsyeja pse prof. Bulo nuk i ka dhënë një analizë të gjallë kësaj teze ndoshta ka të bëjë me pasjen në dorë, të poezisë në shqip të Rumiut, pikërisht poezitë për të cilat nga flet Musine Kokalari - për të cilat u mbështet tek një përkthim i profesorit të saj në Itali.
“Rumiu ka pasur një ndikim gjurmëlënës në zhvillimet shpirtërore shqiptare prej Rilindjes Kombëtare e këndej, duke ndikuar edhe te poeti ynë kombëtar Naim Frashëri”, - kjo është fjalia më e përgjithshme që është thënë për dy poetët, pa rënë asnjëherë në gjurmë të ndonjë teze konkrete, siç e ka analizuar studentja e Romës, në vitin 1938.
Në fakt, nga studiuesit është pranuar ndikimi i fortë që ka pasur Rumiu në Shqipëri, por kjo është thënë në mënyrë krejt të verbër si duket, pa njohur direkt veprën e tij. Ndërsa është thënë se “për çudi” mungesa e Rumiut nuk ndihej dhe aq - duke e lidhur këtë shpjegim në mënyrë paradoksale me poezinë e Naim Frashërit si një shembull skandaloz dhe mjaft naiv se “mjeshtërit kompensojnë njëri-tjetrin”.
“Poezia e Rumiut është shumë e afërt dhe komunikuese me gjini të tjera të artit si muzika, koreografia (vallet, baleti), dëshmi e një talenti të lindur dhe arti të përsosur. Harmonizimi mes zërit, fjalës dhe lëvizjes apo plotësimi, vazhdimi, shndërrimi (transformimi - njësoj siç ndodh me llojet e energjisë) i njërës në tjetrën janë shkalla më e lartë në një vepër artistike”. Na duhet ta ritheksojmë se është bërë një mënyrë naive krahasimi kur Rumiu është quajtur Shekspiri i Lindjes, ku në shumë vende e popuj poeti persian çmohet si një shenjtor dhe madje barazohet figurativisht me profetët, me patrikët e besimit në përgjithësi. Jo rastësisht Rumiu është mbiquajtur edhe "Pir Rumi", domethënë me fjalë të tjera "themelues", "mjeshtër", "udhëheqës". Poeti pers i shekullit të 13-të u konsiderua si zbulim në Amerikën e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të.
Ndërsa në vazhdën e një “pasardhësi” të Rumiut studiuesit iranianë nuk ngurrojnë të hidhen për ta radhitur Naimin ndërmjet atij grupi poetësh mistikë, që janë ndikuar nga "masnavitë" poetike dhe mistike të Rumiut, duke sjellë në vëmendje ngjashmëritë e poezisë "Nej" të Rumiut dhe poezisë "Fyelli" të Naimit, të cilat thonë se ka të njëjtën përmbajtje, të njëjtin kod poetik, por kanë edhe ngjyresat e vendlindjes së secilit prej tyre.
Më poshtë po japim të plotë çfarë shkruan Musine Kokalari në tezën e saj për Naimin, duke artikuluar në mënyrë të saktë fjalën “kopjim”, pavarësisht se nuk e shpreh me tone “dramatike” këtë zbulim, por ama na vë në dijeni për një fenomen letrar.
***
Aludimi i parë i Musinesë: “Nga të gjitha konceptet e shprehura deri tani, natyra e Naimit na është manifestuar gjithmonë në përputhje me personalitetin e tij shpirtëror, duke mos shprehur kurrë kontraste të mprehta apo dyzime, të papajtueshme. E megjithatë, do të ilustroj tani një poezi “Uji i bekuar” (Lulet e verës), që është në kontrast të hapur me atë që është vetë esenca e filozofisë mistike transcendentale, të poetit. Në këtë poezi, ai duket sikur mundet nga një trullosje e pashpjegueshme, bëhet papritur skeptik dhe flet për jetën si për diçka të kotë, e sheh si lojë, një iluzion e asgjë tjetër.
Kjo pa dyshim është një “shaka” e keqe e letërsisë persiane, ndikimin tiran të së cilës, Naimi e ndien deri në atë pikë, sa nganjëherë, i kopjon konceptet e shprehje të tëra. Në poezinë në fjalë, ai është ndikuar sigurisht nga një autor të cilin e lexon me shumë dëshirë, gjurma letrare të cilit, është pikërisht pesimizmi këmbëngulës në vlerat e jetës, në nevojën e vazhdueshme për të harruar dhimbjet në gotat e mbushura në ndonjë tavernë të largët.
Ky poet është Omar Khajam.
Tamam si ai, Naimi do t’i këndojë verës tek “Uji i bekuar” - si të vetmit burim, të çdo kënaqësie dhe harrese: “Ejani këtu, o shokë”, - do të bërtasë ai, - “Mblidhuni kokë për kokë/ pini të bëhemi trokë…/ Këtej e tutje s’gënjehem/ Me të rreme më s’rrëmbehem../ Gjithë jetën nukë rrojmë,/ Shpirtnë pse t’e mundojmë? Pa qasuni të këndojmë/.
Unë besoj se Naimi e ka shkruar këtë poezi në një moment dëshpërimi e pakënaqësie dhe se ajo duhet t’i atribuohet një vlerë episodike, rastësore, që nuk ia gërvisht aspak figurën thelbësisht të pastër”.
***
Më lart ishte pjesa e parë që Musineja me përafërsi gjen pikëtakimin e çuditshëm të Naimit me poetë konkretë persë, prej të cilëve e sheh si të arsyeshme ta quajë thjesht një përputhje apo frymëzime për shkak të gjendjes shpirtërore ku ndodhej poeti shqiptar, si emigrant. Por, më poshtë janë konkretisht rastet “flagrante” të poetit se si adapton vargjet e Rumiut në dy poezitë e tij sentimentale. Ndonëse Musineja nuk do t’i komentojë këto vargje, duken qartazi pjesë kopjuese e poezive frymëzuese të Rumiut. Me elegancë Musineja gjen arsye që ta kapërcejë “çudinë” e saj, duke thënë se është një gjendje shpirtërore e Naimit që e ka shtyrë të gjejë identiktin e vet në poezitë e Rumiut. Këtë fakt vetë Naimi duket se nuk e ka përmendur asgjëkund përveçse disa botimeve fragmentare nga Rumiu, derisa ky poet pak vite më parë, konkretisht më 2007, vjen i përkthyer në shqip nga Dhori Qiriazi. Ndërsa për studiuesit iranianë ky akt në poezinë e Naimit me Rumiun është parë si ngjashmëri poetësh, duke lënë “të fshehur”, gati në mënyrë naive ky krahasim edhe nga studiuesit shqiptarë, si prof. Jorgo Bulo. Më poshtë, teza e Musinesë vazhdon dhe pothuaj vërtetohet në kontekstin e kopjimit dhe jo të ndonjë përafrie gjendjesh shpirtërore, të rastësishme midis poetëve. Duket gjendje e pastër kopjimi.
***
Musineja bën konkrete kopjimin: “Më duket e tepërt të zgjatem akoma në paraqitjen e përbërësve të tjerë poetikë. Por, përpara se ta mbyll këtë pjesë që u kushtohet veprave të poetit, nuk mund të lë në heshtje një zbulim interesant që kam bërë, duke lexuar disa poezi të poetit të madh persian Rumi (1207-1273), të përkthyera në italisht nga profesor Italo Pizzi e të publikuara prej tij në volumin e parë të “Historia e poezisë persiane”.
Më duhet ta pranoj, që çudia ime qe e madhe kur konstatova se shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian.
Do të citoj disa pjesë të dy kompozimeve karakteristike të të parit: “Fyelli” (Lulet e verës) dhe “Turtullesha” (Parajsa), duke i vënë përballë me ato përgjegjëse të Rumiut (Kobla shpirtërore), (Tekst këngë), saktësisht: i pari në “Pjesë e hyrjes” dhe i dyti tek “Tregtari dhe papagalli” apo “Nevoja për t’u çliruar nga burgu i jetës”.
Kur krahasoj pjesët e ngjashme të dy poetëve, nuk do të bëj asnjë koment të veçantë, duke e shtyrë për në fund.
Do të flas në fillim për “Fyellin”. Naimi e fillon poezinë e vet duke thënë: “Pa dëgjo fyellin ç’thotë/ tregon mërgimet e shkretë/ Qahet nga e zeza botë/ me fjalëze të vërtetë” dhe vazhdon “Qëkurse më kanë ndarë/ Nga shok’ e nga miqësia/ Gra e burra kanë qarë/ nga ngashërimet e mija!”
Përkthimi i Pizzi-t thotë: “Dëgjo flautin si flet/ e qan largimin e tij” dhe më pas “që kur nga kallamishtja/ më kanë prerë, burra e gra/ rënkojnë nga e qara ime”. Naimi vazhdon më pas me një seri vargjesh që ndjekin gjithmonë modelin e Rumit, derisa në një përkthim fjalë për fjalë, do të thotë: “Gjithë bota më dëgjojnë/ Po së jashtësmi më shohin,/ Dëshirën s’ma kupëtojnë,/ Zjarr’ e brendshmë s’ma njohin”.
Pizzi e përkthen kështu të njëjtën pjesë: “…dhe të gjithë pranë meje janë mbledhur, secili sipas mendimit të vet/ por zemrës time/ askush s’ia gjeti misterin”.
Naimi vazhdon: “O rrëmet’ i njerëzisë!/ Zër i fyellit s’është erë”.
Dhe vargjet e Pizzit thonë: “aty është i gjallë/ zjarr i rënkimit/ jo puhiza e lehtë”.
Paralelizmi do të vazhdojë në të gjithë poezinë. Vargjet e Naimit, megjithëse ndryshojnë shpesh nga ana letrare, nga ato të Rumiut, nuk shkëputen kurrë për sa i përket kuptimit.
Por, le të kalojmë në poezinë e dytë. Teksti në shqip i Naimit ka ndryshuar titullin origjinal persian “Tregtari dhe papagalli”, në një tjetër më poetik “Turtullesha” – ndryshim që riprovon edhe një herë, mendësinë e poetit i cili preferonte që ndjenjat delikate të shprehura në poezi, të ishin të një turtulleshe dhe jo të një papagalli prozaik.
Drama e dy poezive është pothuajse e njëjtë: Një tregtar i pasur kishte një papagall (për Naimin, një turtulleshë). Kur po nisej për në Indi u kërkoi gjithë shërbëtorëve të tij të shprehnin një dëshirë që t’ua plotësonte. E njëjta pyetje i drejtohet dhe papagallit, i cili i etur për liri, i kërkon që t’u çojë përshëndetjen e tij prej të burgosuri, miqve të tij të lirë. Tregtari mbërrin në Indi dhe plotëson dëshirën e zogut, por sapo flet, një nga zogjtë bie i vdekur përtokë. I turbulluar, tregtari kthehet në atdhe dhe i tregon ngjarjen të burgosurit të tij e ky sapo e dëgjon, bie i vdekur. Tregtari që e kujton të vdekur, e hedh tutje, por ai ngrihet e fluturon drejt lirisë.
Tregimi i Rumiut mbaron këtu, ndërsa ai i Naimit vazhdon me turtulleshën që burgoset për herë të dytë, por kjo shtesë nuk është veçse një shtojcë e tregimit të vërtetë dhe nga ana tjetër edhe ajo frymëzohet drejtpërsëdrejti, megjithëse jo në mënyrë pasive, nga një tjetër poezi e Rumiut “Tri këshillat e zogut”, që tek “Kolba shpirtërore” ndjek menjëherë “Tregtarin dhe papagallin”.
Të bëjmë tani analizën e të dy teksteve. Naimi e fillon kështu “Turtulleshën” e tij: “Një burrë i pasur, kishte një turtulleshë të cilën e kishte mbyllur në kafaz”. Dhe Pizzi: “Na ishte një tregtar dhe kishte një papagall, një papagall të hijshëm, të cilin e kishte mbyllur në kafaz”. Tregimi vazhdon: “... Padroni mori rrugën e shkoi e pa turtujt dhe foletë e tyre... ngriti zërin për t’i përshëndetur... e njëra prej tyre, u shkëput e ra e vdekur për tokë”.
Më pas Naimi do të vazhdojë tregimin me kthimin e padronit në atdhe dhe vdekjen e shtirur të zogut dhe do të shtojë: “... E mori nga kafazi, e hodhi tutje, por turtullesha e ngjall dhe fluturoi”. Dhe ja, përkthimi i Pizzi-t: “Ai sapo arriti në kufi, pa papagaj në një fushë të shkretë... Ngriti zërin e tha mesazhin” dhe në fund: “... E nxori nga kafazi dhe ai në degët e larta të një peme, fluturoi”. Edhe për pjesën e mbetur të dy teksteve, vlen e njëjta gjë që kam thënë për “Fyellin”.
I vetmi shpjegim që mund të japim për këtë “kopjim” të Naimit është se në to, ai ka gjetur sigurisht përputhje, jo vetëm me idealet dhe ndjeshmërinë e vet, por sidomos në të dytën, një ndërthurje me jetën e vet prej mërgimtari, prej të burgosuri – i larguar me forcë nga toka e vet e nga gjërat e tij të dashura. Ai sheh veten tek fyelli i larguar nga kallamishtja e që qan nga larg, duke moduluar misterin e mendimit me shpirtin e zjarrtë harmonioz. E sheh veten edhe tek turtullesha që ëndërron kthimin tek shoqet e veta e që më në fund, arrin të realizojë ëndrrën e lirisë; por për Naimin, kjo do të mbetet vetëm ëndërr e ai do të vdesë i mërguar në dhe të huaj. Njohja e veprave me karakter të ndryshëm e kompleton figurën e Naim Frashërit, duke na treguar aspektet më të fshehta e nganjëherë më të pamenduara. Koncepti themelor i poetit mbetet ai që shpërthen nga veprat e tij më të mëdha. Do të shtoj vetëm që, nga pikëpamja estetike, shumë nga këto poezi të fundit janë pa dyshim nga më të bukurat që ka ditur të krijojë muza frashëriane”.