E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Musk paralajmëron : Hakerët rusë “shtojnë përpjekjet” pas sulmit kibernetik që mbylli lidhjet e internetit të Ukrainës!

Rusia kreu një sulm kibernetik gjatë fillimit të pushtimit të Ukrainës, duke shkëputur nga interneti mijëra modem në të gjithë Evropën, njoftuan të martën zyrtarë nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Estonia dhe Bashkimi Evropian, shkruan FoxBusiness.

Themeluesi i SpaceX, Elon Musk, satelitët Starlink të të cilit kanë ndihmuar në sigurimin e aksesit të ukrainasve në internet në mes të pushtimit të Rusisë, paralajmëroi se forcat e Kremlinit “po shtojnë përpjekjet e tyre”. Deri më tani, “Starlink i ka rezistuar përpjekjeve të bllokimit dhe hakerimit të luftës kibernetike ruse,” shtoi ai.

Hakerët rusë sulmuan rrjetin KA-SAT të Viasat në fund të shkurtit ndërsa forcat ruse marshuan në Ukrainë, raportuan qeveritë perëndimore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Rusia nisi sulmin kibernetik për të “ndërprerë komandën dhe kontrollin ukrainas gjatë pushtimit, dhe ato veprime kishin ndikime të përhapura në vendet e tjera evropiane”.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss e quajti sulmin kibernetik “të qëllimshëm dhe keqdashës”. Rusia synonte kryesisht ushtrinë ukrainase, por kishte ndërprerë edhe fermat e erës dhe përdoruesit e internetit në Evropën Qendrore, shtoi Truss, duke cituar Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Britanisë.

Këshilli i Bashkimit Evropian tha se hakimi dixhital shkaktoi “ndërprerje të komunikimit pa dallim” në Ukrainë dhe vende të tjera anëtare të BE-së.

“Ky sulm kibernetik i papranueshëm është një shembull tjetër i modelit të vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, e cila gjithashtu formoi një pjesë integrale të pushtimit të saj të paligjshëm dhe të pajustifikuar të Ukrainës”, tha këshilli në një deklaratë.

Sulmi kibernetik shkaktoi ndërprerje të menjëhershme për përdoruesit e internetit satelitor në të gjithë Evropën dhe modemet e prekur duhej të zëvendësoheshin manualisht.

“Pasi ata modemë u ndërprenë, nuk ishte sikur t’i shkëputje nga priza dhe t’i rindizje dhe ata të kthehen përsëri,” tha për Reuters Drejtori i Sigurisë Kibernetike të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA, Rob Joyce. “Ata duhej të ktheheshin në fabrikë për t’u ndërruar!”

Ndikimi i sulmit ende nuk është zbuluar, por KA-SAT ka siguruar lidhje interneti për ushtrinë dhe policinë ukrainase, tregojnë kontratat e qeverisë.

Zyrtari ukrainas i sigurisë kibernetike Victor Zhora tha në mars se hakimi shkaktoi një “humbje të madhe në komunikim në fillimin e luftës”.

Rusia ka mohuar në mënyrë rutinore akuzat se kryen operacione sulmuese kibernetike.

Sulmi kibernetik ka qenë sulmi dixhital më i dukshëm që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, megjithëse nuk ishte i vetmi. Jo të gjitha sulmet kibernetike janë bërë të ditura për publikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›