Muslimanët e Kosovës ndihmë për banorët e Shkodrës
Bashkësia Islame e Kosovës do të japë një kontribut financiar prej 83 mijë euro në ndihmë të banorëve që u dëmtuan nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës dhe Qarkun e Lezhës. Kjo ndihmë iu bë e ditur gjatë një bisede telefonike Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha nga Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava. Bashkësia Islame e Maqedonisë do të ofrojë gjithashtu ndihma të konsiderueshme monetare për familjet që pësuan dëme nga përmbytjet natyrore në Shkodër dhe Lezhë, konkretisht 58 mijë euro dhe 9 mijë franga zvicerane. Ndihma u konfirmua nga Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sulejman Rexhepi, i cili u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Basha shprehu vlerësimet për solidaritetin, e po ashtu edhe falënderimet e tij për kontributin financiar të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Maqedonisë, në ndihmë të familjeve që pësuan dëme në banesa dhe në ekonominë e tyre bujqësore si pasojë e përmbytjeve natyrore që ndodhën në muajin Janar në Qarkun e Shkodrës dhe Qarkun e Lezhës.