Ujkani falënderon Gasperinin

Samir Ujkani ndihet i sigurt në fanellën e Palermos. Portieri kosovar po mbron rregullisht në portën e ekipit sicilian dhe për këtë e falënderon trajnerin. Përfaqësuesi shqiptar nuk ndihet i rrezikuar, edhe nëse Palermo përforcohet gjatë janarit me ndonjë portier tjetër.
“E falënderoj trajnerin Gasperini që vazhdon të ma japë besimin, edhe pse Benussi ka mbrojtur mirë me Catanian. Duhet të vazhdojmë të shikojmë përpara të gjithë së bashku”, deklaroi Ujkani pas lojës për uebfaqen Mediagol.it. “Unë nuk kam dëgjuar asgjë rreth arritjes eventuale të ndonjë portieri tek ne. Unë luaj, ushtroj çdo ditë dhe luaj çdo të diel, nuk i lexoj gazetat”, shtoi ai.
Vushtrriasi më tej ka folur edhe për ndeshje me Juventusin, ku vlerëson se ekipi Rosanero meritoi më shumë sesa humbja 0:1 në shtëpi. Ai ndihet i zhgënjyer me rezultatin, por jo edhe me lojën e skuadrës siciliane.
“Ishim të pafat, por luajtëm mirë. Mentaliteti i skuadrës ekziston, por na mungoi fati. Lamë gjithçka në fushë, por në fund ata shënuan një gol të bukur. Duhet pranuar se luajtëm kundër ekipit më të mirë të kampionatit. Ishim afër barazimit”, vazhdoi ai.
Ujkani këshillon bashkëlojtarët që të shikojnë përpara, që nga ndeshja me Udinesen. “Do të shkojmë në Udine për t’i rrëmbyer tri pikë. Na mungon vetëm fati, por duhet të punojmë çdo ditë dhe të nxjerrim sa më shumë që të mundemi rezultate pozitive”, përfundoi ish portieri i Anderlechtit dhe Novarës.