E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalet përkohësisht dëbimi i kosovarëve

Autoritetet gjermane kanë ndaluar përkohësisht grumbullimin e një numri të kosovarëve të planifikuar për dëbim.

Siç bëri të ditur një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme të landit Nordrhein Westfallen (NRW) në Düsseldorf, më 21 shkurt është dashur të niset nga Stuttgarti në drejtim të Kosovës një aeroplan, ku kishte persona të riatdhesuar edhe nga landi i përmendur .

Sipas të dhënave nga organizatat për mbrojtjen e refugjatëve, protestat kanë shkaktuar këtë ndalim fluturimi. Ato organizata pohojnë se në Ballkan në këtë kohë mbretërojnë temperatura dimërore dhe për këtë arsye riatdhesimi do të ishte i vështirë. Nga ndalimi i dëbimit përfiton edhe një nënë vetushqyese e pesë fëmijëve, raporton Albinfo.

Kjo familje që jeton në Detmold është dashur të dëbohet më 21 shkurt për në Kosovë. Tash ajo mund të shpresojë që të kursehet së paku deri në përfundimin e vitit shkollor, thotë këshilltari i refugjatëve, Frank Gokel. Pastaj, familja do të “udhëtojë vullnetarisht”.

Por zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të NRW ka theksuar se në parim dëbimet gjatë stinës së dimrit nuk përjashtohen. Megjithatë, do të merren parasysh personat me nevoja të veçanta, ka shtuar ajo./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›