E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: LDK mposhtet vetëm nga përçarjet e brendshme

Jemi aq të fortë sa askush nga konkurrentët politikë nuk do të mund të na mposhtë, e vlera më e madhe e LDK-së vazhdon të mbetet presidenti i saj historik, Ibrahim Rugova. Kështu ka deklaruar në Gjilan, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka marrë pjesë në një akademi përkujtimore për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“LDK është parti e fortë dhe unike dhe atë nuk mund ta mposhtë asnjë parti tjetër politike. LDK-në mund ta mposhtin vetëm përçarjet brenda saj, sepse sa herë që kemi qenë të përçarë gjithmonë kemi humbur”, ka theksuar Mustafa.
Mustafa ka vlerësuar lart figurën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, i cili sipas tij, për popullin kishte synim lirinë, pavarësinë e demokracinë dhe u bë edhe lider i një mesazhi përçues të frymës paqësore që se kishin parë në Evropë e Ballkan. Ai i hapi të gjitha dyert e Kosovës në shtetet e Evropës.

“Ne do të angazhohemi dhe do ta respektojmë qëndresën tonë rugoviane, sepse Rugova u angazhua për një shtet demokratik, ligjor e të lirë. Rugova u angazhua jo vetëm për lirinë e njerëzve, por që ata të kenë punësim, paga të mira e pensione të mira”, tha Mustafa, raporton “Zëri”.

Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se Gjilani dhe Kosova sot me dhimbje, por edhe me krenari e përkujton presidentin Rugova.

“Nuk e kemi pasur të lehtë punën pas vdekjes së Rugovës sepse ai na la në momentet kur më së shumti i duhej Kosovës dhe popullit të saj. Pas vdekjes së Rugovës LDK pati edhe sfida, por tani jemi më të bashkuar e më unik, por mos harroni se themelet e shtetit të Kosovës i vuri presidenti Rugova. Tani pas shtatë vitesh nga vdekja e tij LDK po kthehet fuqishëm aty ku deshi Rugova. Andaj me fanatizëm duhet t`i ruajmë vlerat e krijuara nga LDK dhe Rugova”, tha Haziri.

Për veprën e Ibrahim Rugovës ka folur edhe Sabit Rrustemi, i cila ka thënë se Rugova ishte shembull unik dhe autokton që buroi edhe nga fisnikërimi dhe shenjtërimi i veprimtares së madhe të humanizmit botëror, Nënë Terezës, duke dëshmuar se në Ballkan është një popull, sa i lashtë, aq edhe fisnik, sa paqësor aq edhe vital që i dhuron botës figura me përmasa ndërkombëtare, siç ishte dhe mbetet edhe Dr. Ibrahim Rugova./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›