Mustafa: Nuk shoh asnjë arsye që veriu të ketë status të veçantë

(E plotësuar) Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur pozicionin e partisë që drejton, se të gjitha marrëveshjet eventuale me Serbinë, përfshirë edhe zgjidhjen për veriun, duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën, integritetin dhe rregullimin kushtetues të Kosovës.
“Unë, dhe as LDK-ja, nuk shohim asnjë arsye që një pjesë e vendit të merr një status të veçantë, ngase do të ishte shumë vështirë, që shteti të funksionoj në atë formë”, ka thënë Mustafa, transmeton REL.
Ai tha se pret që në vijim të dëgjoj detaje të tjera në lidhje me dialogun e përmbyllur pa marrëveshje ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.
--------
Kryeministri serb, Ivica Daçiq bisedimet e djeshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit i ka përshkruar si dramatike. “Dramatike, jo për nga toni, por për atë që fitohet ose humbet, për pasojat e mundshme”, ka thënë Daçiq.
Se sa dramatike kanë qenë bisedimet, Daçiq ka treguar se zëvendësi i tij, Aleksandar Vuçiq i kishte kërkuar dorëheqjen. “Unë normalisht se e refuzova”, është shprehur Daçiq.
Ai ka treguar se mospajtimet, dhe ndryshimet në qëndrime rreth palëve ishin rreth kompetencave që duhet të ketë Asociacioni i Komunave Serbe.
“E nga ana tjetër, populli ynë në Kosovë e Metohi, nuk e pranon që ajo bashkësi të jetë pa përgjegjësi serioze. Për çdo popull është me rëndësi ta dijë se kush e mbron, kush e ruan, kush e gjykon, kush e akuzon, kush e shkollon”, ka thënë Daçiq.
Megjithatë, sipas tij ka diçka të mirë nga takimi që zgjati më shumë se 12 orë. “Nëse ka diçka për çfarë u pajtuam është fakti se bëmë një hap drejt normalizimit të raporteve tona”, ka thënë Daçiq, raporton Klan Kosova.
Duke folur edhe për tensionet e ngritura gjatë takimeve, kryeministri serb ka thënë se diçka të tillë ka në secilin takim. Por, sipas tij, atmosfera ishte pak më e rënduar, për shkak se u vlerësua se kjo është dita e fundit për marrëveshje.
Daçiq ka pranuar se pas dështimit të së martës, do të jetë shumë vështirë, që të merret data për fillimin e negociatave për anëtarësim. Ai ka thënë se është i gatshëm që të bisedoj direkt, me Prishtinën, edhe pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, vetëm për të gjetur një zgjidhje./Indeksonline/