Kryeministri Thaçi ngushëllon familjen Runjeva

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë dhe të vet, ngushëlloi familjen Runjeva dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me rastin e vdekjes së kryetarit të Degës së OVL të UÇK-së në Kaçanik, Ejup Runjeva.
Në telegramin e ngushëllimit kryeministri rikujton se jeta dhe veprimtaria patriotike e Ejupit është shembull se si duhet të punohet dhe të luftohet për lirinë dhe të ardhmen e ndritshme të atdheut.
Idealet e Ejupit dhe gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u jetësuan me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe tani po vazhdojnë të jetësohen çdo ditë e më tepër me zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë, përfundon telegrami./Indeksonline/