PS zyrtarizon ftesën për koalicion me LSI

(E plotësuar) Kryetarët e dy partive Rama-Meta kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Nje dite me pare burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj.
PS MBLEDH KRYESINE, ZYRTARIZOHET FTESA PER KOALICION ME LSI
ORA 11:25-Kryesia e PS zyrtarizon ftesën për koalicion me LSI. Burime bëjnë të ditur për News24, se vendimi u miratua me jounanimitet ne mbledhjen e kryesise, pasi mbledhja u karakterizua dhe me debate. Deputeti Erjon Brace është shprehur kundër kësaj aleance. Për të argumentuar këtë ai bëri dhe lidhjet me ngjarjet e 21 Janarit.
TOPALLI: PAVARESISHT LARGIMIT TE LSI, QEVERISIM DERI ME 23 QERSHOR
ORA 11:09 - Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilëson largimin e LSI-së nga qeveria si zbatim të së drejtës së çdo partie politike për të bërë zgjedhjet e veta.
Nga Shkodra, Topalli u shpreh e bindur se shqiptarët do të zgjedhin sërish demokratët më 23 qershor.
“Jam optimiste se në 23 qershor shqiptarët do dinë të zgjedhin. Pavarësisht largimit të LSI, qeverisim deri më 23 qershor.”- u shpreh Topalli.
BERISHA: PARTITË BËJNË ZGJEDHJEN QË DËSHIROJNE
Ora 10:00-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin social Facebook mbi marrëveshjen parazgjedhore Rama-Meta.
Reagimi bëhet një ditë pasi mediat mësuan mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje mes aleatit të tij në qeverisje, Meta me kundërshtarin politik, Rama. Sipas Berishës, çdo forcë politike ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e saj, ndërsa ai në postin e kryeministrit ka për detyrë të gjejë zgjidhje kushtetuese për çdo problem institucional që mund të krijohet.
“Mirëmëngjes miq! Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendos të lerë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale.
Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cënojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lire dhe te ndershem ne perputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetuten e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet në frymen dhe germen e saj. Une mbetem totalisht i përkushtuar te punoje me te gjithe energjite e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb”, shkruan Berisha në Facebook.
RAMA MBLEDH TË VETËT, FESTON DERI NË MESNATË. ZYRTARISON SOT NE MBLEDHJEN E KRYESISE FTESEN PER KOALICION ME LSI
Partia Socialiste zyrtarizon sot, në mbledhjen e kryesisë, ftesën për koalicion drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por, para mbledhjes së kryesisë, kreu socialist, Edi Rama mblodhi në një darkë pune një pjesë të kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar. Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Blendi Klosi, Ditmir Bushati, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Erion Veliaj, bashkiakët Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Niko Peleshi e Endri Fuga ishin dje, pjesë e darkës në një prej lokaleve të periferisë së Tiranës, "Xibraku". Për rreth 4 orë, deputetët dhe Rama kanë shkëmbyer mendime, jo vetëm për ofertën ndaj Metës, por edhe për atë se si kjo do të pritet në elektoratin socialist. Tashmë është folur për një marrëveshje Rama- Meta, sipas së cilës LSI-ja largohet nga Qeveria me kushtin që PS-ja të votojë 3 ligjet e integrimit, që është edhe misioni i LSI-së në këtë qeveri. Pas darkës me deputetët, Rama u shpreh se "ishte një darkë festive". Arsyeja e dhënë zyrtarisht për këtë darkë ishte lindja e djalit të dytë të deputetit Eduart Shalsi, megjithatë pakkush e ka besuar se kjo ka qenë arsyeja e vetme. Sot, rreth orës 10:30 mblidhet edhe kryesia e PS-së, e cila duket hapur se nuk do ta kalojë pa debate afrimin me LSI-në. Deri më tani, publikisht janë shprehur kundër marrëveshjes me Metën, anëtarë të kryesisë si Erjon Braçe, Pandeli Majko.
Por, sipas burimeve nga PS-ja, ka qenë edhe një lloj presioni nga të majtët evropianë që kërkojnë nga të majtët shqiptarë t'i japin fund kapitullit "Berisha" në qeverisje të vendit.
Dhe thirrjet e tri ditëve të fundit të faktorit ndërkombëtar, presidentit të Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, zv.presidentit të Parlamentit Europian, Xhani Pitella dhe dje të presidentit të Internacionales Socialiste, Jorgo Papandreu për t’u bashkuar Rama dhe Meta në një koalicion të përbashkët parazgjedhor për të qeverisur pas zgjedhjeve të bashkuar, kanë qenë të koordinuara në funksion të qëllimit të shkëputjes nga qeverisja aktuale.
Zbardhen detaje nga marrëveshja Rama-Meta
Kryetarët e dy partive kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka pranuar që deputetët e Grupit parlamentar socialist, pas disa muajsh refuzimi, të votojnë tri ligjet që kërkon Brukseli nga Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat, edhe pse afatet për ta arritur këtë tashmë kanë përfunduar. Tri ligjet mund të votohen edhe ditën e enjte gjatë seancës plenare, ndërsa sipas marrëveshjes Rama-Meta, LSI do të largohet nga qeveria duke tërhequr dhe ministrat e saj. E perditshmja 'Panorama' shkruan se Meta i ka kërkuar Edi Ramës që t’i garantojë tre vende në listat e kandidatëve të PS për përfaqësues të LSI-së, tre ministri të rëndësishme, por dhe drejtuesin e Parlamentit. Mësohet se nga ana e Ramës këto kushte janë pranuar, por kreu socialist ka kërkuar që ministritë të drejtohen nga emra të tjerë, për të ndryshuar imazhin e qeverisë së ardhshme.
Një ditë para mbledhjes së Kryesisë socialiste, e cila do të vendosë të ftojë LSI-në në një bashkëpunim parazgjedhor me PS, Rama ka zhvilluar një darkë me një grup të madh të anëtarëve të Kryesisë.
Prapaskenat
Pas tri thirrjeve të figurave të së majtës evropiane për bashkim Rama-Meta para zgjedhjeve të 23 qershorit, të majtët e Tiranës nisën dje, lëvizjet politike. Paraditen e 1 prillit, kreu i LSI-së, Ilir Meta takoi në Kryeministri kreun e mazhorancës së djathtë, Sali Berisha. Edhe pse asgjë nuk u bë publike pas takimit, burimet folën për dy çështje të diskutuara mes dy aleatëve. Mësohet se Ilir Meta i ka dhënë siguri kryeministrit se nga LSI-ja nuk ka asnjë pengesë për kalimin e tri dekreteve të presidentit.
Nga ana tjetër, mes tyre është diskutuar edhe për çështjen e koalicionit. Asgjë nuk është thënë publikisht, por deri më tani, lajmi që po diskutohet në mjediset politike është largimi i Ilir Metës nga qeveria dhe bashkimi në një koalicion me PS-në. Pas takimit rreth gjysmë ore Meta-Berisha, asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar gjë. Më pas, diku rreth mesditës, Meta mblodhi në hotel "Rogner" drejtues të kryesisë së LSI-së. Ky takim, sipas Luan Ramës ishte për çështje organizative të LSI-së, por një gjë e tillë nuk ka krijuar shumë bindje në media. LSI-ja pritet që brenda muajit prill të mbledhë Konventën e saj Kombëtare. Ky forum pritet të japë një qëndrim zyrtar edhe për këtë çështje. Nuk ka një datë për mbledhjen e forumit, edhe pse mendohet se mund të jetë mesi i muajit. Burimet thonë se nga kjo Konventë do të shpallet shkëputja nga qeveria, duke tërhequr ministrat. Pas kësaj, burimet edhe nga PS-ja flasin për krijimin e një qeverie teknike, deri në afrimin e datës së zgjedhjeve, për të mos lënë vendin në vakum qeverisës.
Madje ky skenar mendohet si më i pëlqyeshmi edhe për ata që janë dakord me këtë afrim të PS-së dhe LSI-së. Kjo, edhe për një arsye tjetër, që ka lidhje me të gjithë ata anëtarë apo simpatizantë të PS-së, të cilët mund të mos miratojnë një bashkim të tillë. Pas takimit me drejtues të LSI-së, Meta tha për mediat se: "Sot është 1 prilli dhe kuptohet që nuk ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë, sepse nuk e di se sa të besueshme do të ishin deklaratat. Po ne takime kemi vazhdimisht dhe takimet janë mjaft konstruktive". "Këto janë qëndrime, të cilat në fund fare do t'i vlerësojnë forumet e LSI-së. Meqenëse kam dëgjuar qëndrime të ndryshme për çështjen e dekreteve, natyrisht siç kemi vepruar gjithmonë, për çdo dekret do të shprehemi sipas bindjes së çdo deputeti", - tha Meta. Po në "Rogner", Meta ka shkëmbyer biseda edhe me kreun e PDS-së, Paskal Milo e kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule./BalkanWeb/Indeksonline/