VV: Mosarritja e marrëveshjes, lajm i mirë për Kosovën

Ka reaguar sot Lëvizja Vetëvendosje rreth takimeve formale mes Thaçit dhe Daçiçit, që përfunduan mbrëmë, të cilat baronesha Eshton dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e shpalli si gjysmë të mbyllur.
Sipas Vetëvendosjes, fakti që mbrëmë nuk u arrit marrëveshja është lajm i mirë për Kosovën, por thekson se nuk ka vend për entuziazëm sepse mosarritja e marrëveshjes nuk shënoi edhe fundin e dialogut.
Me anë të një komunikate Lëvizja Vetëvendosje thekson se ky dialog nuk ka qenë dashur të nisë fare, sepse “dialogu jo parimor dhe për çështje të brendshme të Kosovës me Serbinë nuk ka se si të prodhojë rezultat në dobi të Kosovës”. Madje sipas saj, edhe marrëveshjet e deritashme të arritura përmes Edita Tahirit, kanë qenë “në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës të cilat kulmuan në degradimin e emërtimit politik të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga Republika e Kosovës, në Kosovën me fusnotë”.
Vetëvendosje thotë se vazhdimi i dialogut, formal apo jo formal është vazhdim i mbushjes së formës (Asociacionit) me përmbajtje (kompetenca shtesë ekzekutive).
“Shtet, e aq më pak sovran, nuk bëhemi në negociata me Serbinë. Shtetin duhet ta ndërtojmë vet, në rrethanat tona në kundërshtim me ndërhyrjen e Serbisë. Tash nuk ka kurrfarë kuptimi tjetër të vazhdimit të kësaj varësie ndaj dialogut ku na ka futur Thaçi”, thuhet më tej në komunikatë
Shteti i Kosovës duhet të këmbëngulë në barazi mes popujve dhe shteteve, që në rastin me Serbinë arrihet duke e kushtëzuar atë, marrëdhëniet me të, në njohje të dyanshme dhe reciprocitet, theksohet në reagimin e Vetëvendsjes./Indeksonline/