Mustafa: Po ndërtojmë një rrugë bashkëkohore

Ka nisur faza e parë e punimeve të segmentit të dytë të rrugës B, e cila lidhë Bregun e Diellit me lagjen Mati 1 të kryeqytetit.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të këtij segmenti, vlera e ndërtimit të këtij segmenti rrugor është 2 milionë e 900 mijë euro dhe do të jetë një rrugë bashkëkohore, ashtu si edhe faza e parë e rrugës B.
“Sot ne po inaugurojmë fillimin e fazës së dytë të rrugës B. Është një fazë e cila është kontraktuar në vlerë prej 2 milionë e 900 mijë eurove. Është fjala për një rrugë 880 metra, gjerësisë 30 metra, me staze të çiklizmit, me trotuare të gjerë me 4 korsi. Do të thotë një rrugë shumë bashkëkohore, ashtu siç është edhe faza e parë e rrugës B”, ka thënë ai.
Kjo rrugë është paraparë të ndërtohet brenda një viti, por sipas Mustafës kontraktuesi është zotuar që atë ta ndërtojë deri në fund të këtij viti.
Ai shtoi se kjo rrugë, e cila do të ndërtohet deri te banesat e bardha, do të zgjidhë shumë probleme që ka komunikacioni i Prishtinës.
“Ne mendojmë se me këtë rrugë do të arrijmë që ta zgjidhim problemin e komunikacionit, jo vetëm në këtë pjesë të qytetit, por edhe në Prishtinë në tersi, sepse është një kolektor shumë i rëndësishëm i kalimit edhe lirimit të rrugëve të tjera të qytetit. Rruga do të ndërtohet deri te banesat e bardha”, u shpreh Mustafa.
Rruga B sipas Mustafës do të jetë një rrugë lidhëse edhe me rrugën “Enver Maloku” dhe me pjesë të tjera të qytetit. Me këtë sipas tij, po bëhet një zgjidhje shumë e mirë, pasi që kjo pjesë e qytetit po bëhet me rrugë bashkëkohore. /kosovapress/